Kjo është pamjet me dron që të ofron sot Eco Park në Durrës. Investimi prej 1.6 miliardë lekë duket i përfunduar, por ai qëndron i mbyllur për qytetarët.

Megjithëse qe premtuar nga kryeministri Edi Rama se punimet për kthimin e ish-fushës së mbetjeve në Durrës në Eco Park do të përfundonin më 1 qershor 2021, gati 2 vite pas këtij afati investimi i realizuar nuk është bërë ende funksional.

Më 1 qershor 2021 për festën e kalamajve këtu do të bëhet një super festë kalamajsh, më e madhja që kanë parë ndonjëherë kalamajtë në historinë e Shqipërisë, këtu me parkun e ri të Durrësit”,– deklaronte më 7 dhjetor 2019 kryeministri Rama, ndërsa inspektonte fushën e mbetjeve në krah të ish-kryetarit në detyrë Zhyljen Varfaj.

Punimet për ndërtimin e Eko Parkut nisën në dhjetor të 2019 dhe shtrihen në një sipërfaqe prej 155 mijë metra katrorë.

Në korrik të vitit 2022, Agjensia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve kërkoi një tjetër fond prej 22 milionë lekë për kolaudimin e tij, duke e rritur edhe më shumë faturën financiare të këtij investimi.

Mbyllja e vend depozitimit të mbetjeve në Porto Romano e ekspozoi Durrësin disa herë me radhë gjatë viteve 2020 dhe 2021 ndaj krizës mjedisore të krijuar për shkak se koncesionari i landfillit të Sharrës nuk pranonte depozitimin e mbeturinave pa lidhur fillimisht kontratë me bashkinë.

Pas situatës së përsëritur disa herë me radhë, ku plehrat e Durrësit qëndronin me ditë të tëra të patërhequra në kazanë, madje edhe në mesin e sezonit turistik, bashkia Durrës nënshkroi kontratën me koncesionarin, të cilit vit pas viti do t’i depozitojë një shumë të konsiderueshme nga buxheti lokal, ndërsa pjesa tjetër do të mbulohet nga buxheti i shtetit.

Në buxhetin e këtij viti, bashkia Durrës ka parashikuar të shpenzojë 961.000.000 lekë të reja të barabarta me 28% të buxhetit për menaxhimin e mbetjeve.

Efektet e marrëveshjes mes bashkisë dhe konçesionarit të landfillit të Sharrës, qytetarëve durrsakë iu reflektuan direkt në vlerën e tarifës së pastrimit, e cila krahasuar me një vit më parë u dyfishua.

M.B.