Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka folur sërish për qendrat e emigrantëve në Shëngjin dhe Gjadër të Lezhës, të cilat u ngritën në kuadër të marrëveshjes mes qeverisë së Italisë dhe asaj të Shqipërisë.

Meloni tha se qendrat e emigrantëve do të funksionojnë dhe se synimi i saj është të luftojë mafian.

“Qendrat e emigrantëve në Shqipëri do të funksionojnë, edhe nëse më duhet të kaloj çdo natë atje deri në fund të qeverisjes. Sepse dua të luftoj mafian dhe i kërkoj të gjithë shtetit italian, njerëzve të respektuar, të më ndihmojnë të luftoj mafian”, – tha ajo.

Më tej iu drejtua sistemit të drejtësisë, duke thënë: “Jam e sigurt se objektivi i shumicës së magjistratëve është të luftojnë çdo mafie, qoftë edhe atë të detit. Por nëse nuk jemi efektivë, të vetmit që përfitojnë janë kriminelët”.

Kujtojmë se qendrat momentalisht nuk kanë asnjë emigrant, pasi dy grupet që u sollën në Shqipëri, me vendim të një gjykate në Romë, u rikthyen në Itali.