Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ka mbërritur këtë të premte në Kiev për një vizite pune në kuadër të takimit të ministrave të jashtëm Ukrainë-Europa Juglindore. Takimi ka për qëllim forcimin e marrëdhënieve politike, ekonomike dhe të sigurisë mes Ukrainës e shteteve të Evropës Juglindore. Gjithashtu takimi do të shërbejë si platformë për diskutime të thelluara mbi zhvillimet aktuale në rajon.

Ministri Hasani është takuar edhe me homologun ukrainas Andrii Sybiha, me tëcilin firmosën Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit si dhe hapjen e ambasadës shqiptare në Ukrainë.

Në Kiev, gjatë takimit të parë ministror Ukrainë-Evropë Juglindore, ministrat e Jashtëm të Ukrainës dhe Shqipërisë, Andrii Sybiha dhe Igli Hasani, zhvilluan një ceremoni zyrtare të shkëmbimit të instrumenteve të ratifikimit të Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Sipas deklaratës, marrëveshja ruan parimet kryesore të bashkëpunimit të bazuar në respektin reciprok, besimin, respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe vlerat demokratike.

“Nënshkrimi i Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit është një ngjarje historike në marrëdhëniet tona dypalëshe. Sot do të hapim edhe Ambasadën e Shqipërisë në Ukrainë. I jam mirënjohës palës shqiptare dhe kolegut tim Igli Hassani për mbështetjen e vendit tonë dhe punën së bashku. Për të forcuar lidhjet tona, e gjithë kjo do ta sjellë bashkëpunimin tonë në një nivel të ri”, – tha Ministri Sybiha.

Ministria vuri në dukje se marrëveshja do të jetë e vlefshme për dhjetë vjet dhe do të rinovohet automatikisht për periudha pesëvjeçare, përveç nëse njëra palë deklaron dëshirën për ta ndërprerë atë.