SHKUP – Turqia garanton kombin shqiptar për mbështetje e përkrahje të përhershme, të cilën ministri i saj jashtëm, Ahmet Davutoglu preferon ta cilësojë ndryshe: "deri kur të ndodhë kiameti". I pranishëm në Shkup, ku po zhvillon një vizitë zyrtare, ai e bëri këtë deklaratë gjatë takimit me kryetarin e Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, Sulejman Rexhepi.
Për Davutoglu marrëdhëniet e ngushta me shqiptarët vijnë për shkak se turqit i konsiderojnë ata si pjesë e trupit të përbashkët.
"Të gjithë juve ju konsiderojmë si një trup, kur dëgjojmë lajme të mira edhe ne gëzohemi dhe ndjehemi të qetë, në rast se ju dëmtoheni atëherë ndjejmë shqetësim. Neve do të na keni mbështetje deri në kiamet",- deklaroi shefi i diplomacisë turke.
Davutoglu gjithashtu nuk nguroi ta vlerësojë kreun e BFIM-së për kontributin e dhënë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore islame. "Ju falenderoj për kontributin e dhënë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore islame, nga fakti se çdo monument kulturo-historik që ruhet na përkujton paraardhësit tanë", – u shpreh ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë.
Nga ana tjetër kreu i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, Sulejman Rexhepi pas shprehjes së mirëseardhjes theksoi se Turqia si shtet i madh dhe i zhvilluar tregon interesim të madh për tërë Ballkanin e posaçërisht për Maqedoninë në të gjitha sferat e veçanërisht në aspektin fetar.