Të gjitha rrugët që të çojnë në Tiranë janë të bllokuara nga postblloqe policie.

Ashtu siç qe njoftuar ditë më parë, kryeqyteti është thuajse i paaksesueshëm ditën e sotme.

Në rrethrrotullimin tek Ura e Dajlanit dhe tek ura e Shkozetit, tek daljet në autostradë të rrugëve dytësore në Shijak etj, efektivët e Policisë Rrugore të Durrësit kanë ngritur postblloqe për të ndaluar qarkullimin e mjeteve drejt kryeqytetit.

Siç duket qartë nga pamjet filmike që sjell operatori Denis Simaku, asnjë mjet nuk mund të udhëtojë nga Durrësi drejt kryeqytetit.

Akset rrugore janë të hapura vetëm për mjetet që do të kryejnë transportin e tifozëve drejt stadiumit dhe Fun Zone-ve të përcaktuara.

Në kuadër të zhvillimit të finales mes Romës dhe Feyenoordit në stadiumin “Air Albania”, rrugët do të jenë të hapura vetëm për tifozët dhe të mbyllura për qarkullimin e mjeteve. Akses në rrugë do të kenë vetëm mjetet e emergjencës dhe të policisë ndërsa ka ndalim qarkullimi në disa rrugë.

Në qarkun e Tiranës, të gjitha institucionet dhe shkollat e universitetet janë pushim zyrtar ditën e sotme.

KUFIZIMET E RRUGEVE:

•Kufizimet më të mëdha do të jenë në rrugët nga do të vijnë tifozët, pra Rinas – Tiranë, Durrës – Tiranë, Fushë Krujë – Tiranë dhe Elbasan – Tiranë.

•Këto akse do të jenë të dedikuara vetëm për automjetet që do të transportojnë tifozët e të 2 skuadrave sportive.

•Unaza e mesme do të jetë në dispozicion të automjeteve të tifozëve.

•Në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës janë përcaktuar edhe vendet e parkimit për këto automjete.

•Unaza e vogël do të jetë e bllokuar. Të gjitha rrugët që lidhin unazën e mesme me unazën e vogël do të jenë të bllokuara.

•Për 2 orë do të lejohen të qarkullojnë vetëm mjetet e Policisë, mjetet e përfaqësuesve të UEFA-s, automjetet e medias dhe të tifozëve që kanë bileta për parkim në parkimin e stadiumit.

•Për raste emergjencash të ndryshme, qytetarët duhet të përdorin rrugë ndërlidhëse, që të mos ngarkojnë trafikun.

•Mjetet e tonazhit të rëndë do të lejohen të kalojnë deri në orën 07:00 të ditës së nesërme.

•Lejohen të udhëtojnë në drejtim të Rinasit, vetëm ata qytetarë që kanë biletë për udhëtim jashtë vendit.

•Qytetarët që udhëtojnë nga Tirana në drejtim në veriut, duhet të kalojnë në aksin Tiranë – Vorë – Fushë Krujë dhe jo në aksin Tiranë – Rinas – Fushë Krujë.

•Nuk lejohet qarkullimi nga Fushë Kruja në drejtim të Rinasit, me qëllim për të kaluar në Tiranë. Lëvizja në këtë aks lejohet vetëm për ata që kanë biletë për udhëtim jashtë vendit.

•Nuk lejohet qarkullimi në aksin Vorë – Tiranë.

•Qytetarët që do të vijnë nga jashtë shtetit, nëpërmjet aeroportit të Rinasit, lejohet të qarkullojnë në drejtim të Tiranës.