Modelin e lagjes 18 do e shtrijmë edhe në lagje të tjera të qytetit për të bërë të mundur rehabilitimin e pallateve me sistemin e termoizolimit dhe heqjen e depozitave nga tarracat e këtyre godinave.

Kështu është shprehur kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako, njëkohësisht kandidate e Partisë Socialiste në takimin me banorë të rajonit nr 3.

Sako bëri të ditur para banorëve se pallatet me shkallë dëmi DS5 në lagjen nr.5 do të rindërtohen në të njëjtin vend me fondet e bashkisë.

Në këtë takim ka qenë i pranishëm edhe drejtuesi politik i PS-së për qarkun Durrës Adrian Çela, i cili duke iu referuar kandidatit të opozitës në këto zgjedhje tha se ai deklarohet kundër projektit të portit se ka interesa personale. Çela shtoi se nuk mund të quash bandë 52 mijë qytetarë që kanë votuar Partinë Socialiste në Durrës.

Në programin e ardhshëm 4-vjeçar, bashkia e Durrësit do të bëjë të mundur që përveç projektit të stadiumit të ri, akademisë sportive me Manchester Football Group, të ndërtojë edhe 9 terrene të reja sportive në lagjet e qytetit si dhe njësitë administrative.