Çelësat e apartamenteve i kanë marrë rreth 2 muaj më parë, por ende nuk po u gëzohen shtëpive të reja. Shkak është bërë mos furnizimi me ujë dhe energji elektrike në pallat.
20 familjet e godinës nr.21, në lagjen nr.7 të Durrësit zhvilluan paraditen e sotme protestën e radhës, pasi kërkojnë të futen sa më shpejt në apartamentet e reja.
Prej 6 muajsh, ata nuk marrin as bonusin e qirasë, gjë që u ka shkaktuar jo pak konflikte me qiradhënësit, që kërkojnë pagesat respektive mujore. Deri më tani fondi përkatës për mbi 2000 familje që trajtohen me bonus qiraje në Durrës nuk është lëvruar prej muajsh nga qeveria Rama.
Pavarësisht interesimit të vazhdueshëm të banorëve pranë UKD-së dhe OSHEE-së, ankesat e tyre deri më tani nuk kanë marrë përgjigje, pasi situata në pallatin 6 katësh është njësoj si muaj më parë, kur firma e ndërtimit përfundoi rindërtimin e godinës.
Burime nga UK Rajoni Durrës sqaruan për “DurrësLajm” se ndërmarrja aktualisht po punon për sistemimin e kontratave dhe instalimin e matësve të ujit.
“Duhen pershtatur me pallatin e ri dhe është proces pune që do të mbarojë shpejt. Firma e ndërtimit nuk ka dorëzuar aktin e kolaudimit”,– vijojnë më tej të njëjtat burime.
Ndërkohë burime zyrtare nga OSHEE Durrës na bënë të ditur se nga dita e nesërme do të nisë puna për lidhjen me energji elektrike të pallatit 6-katësh dhe vendosjen e matësave. Procesi pritet të përfundojë brenda javës.
M.B.