Me lot në sy, jo nga gëzimi por nga dhimbja që edhe pas më shumë se 5 vitesh nuk marrin atë që u takon. Shorteu publik për ndarjen e 116 apartamenteve të pallatit Kastrati, i rindërtuar në po të njëjtin vend pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 është shoqëruar me pakënaqësi të përfituesve. Ata ankohen për sipërfaqe më të vogla, nga ato që kishin deri ditën e fatkeqësisë natyrore dhe kate të papërshtatshme për gjendjen e tyre shëndetësore.

“Nuk jam e kënaqur nga shorteu. Metrat i kam po njësoj, por nuk jam e kënaqur me katin. E ka pasur shtëpinë në kat të 9-të dhe e kërkoja mbi katin e pestë se vuaj nga astma. Të paktën të na gëzonin zemrën me metrat dhe katin që kemi qenë. Shoh që shteti nuk ekziston asgjëkundi”.

“Shtëpinë e kam blerë në kat të pestë, më kanë çuar në kat të nëntë. E dyta kam pasur 72 metra, më kanë dhënë 71 metra. Më thanë ky apartament është, po deshe merre, po deshe mos e merr”.

“Ma dhanë vetë katin, ça kati duan këta. Nuk tërhoqa aq gogël, asgjë. Ma dhanë direkt në dorë. Jam e pakënaqur me metrat. Shumë pak metra katrorë. Ku është shorti, këta të japin letrat në dorë”..– thanë disa prej përfitueseve.

Shorteu publik për ndarjen e këtyre apartamenteve u zhvillua në sallën e Këshillit Bashkiak përgjatë gjithë ditës së sotme, ndërkohë që në ditët në vijim pritet që përfituesve t’u jepen dhe çelësat e apartamenteve respektive.

“Janë 116 përfitues ditën e sotme. Janë ndarë përfituesit me orare të ndryshme, sepse sot kemi të bëjmë me disa minishorte për të njëjtin pallat. Përfituesit marrin strukturën që kanë pasur para tërmetit”,– tha nënkryetari i bashkisë Gentian Kallmi, para nisjes së shorteut.

Nga shorteu janë përjashtuar 6 familje banuese në pallat, të cilat rezultojnë se kanë dhe një apartament të dytë në qarkun e Durrësit.

“Bëhet fjalë për familje që kanë 2 pronësi. Janë 6 familje që janë në shqyrtim e sipër”,- tha Kallmi.

Më shumë se 5 vite nga tëemeti, procesi i rindërtimit në Durrës nuk është përmbyllur dhe më shumë se 1000 familje që prej 2 vitesh nuk trajtohen me bonus qiraje, presin akoma të bëhen me shtëpi…

M.B.