Ndahet nga jeta në moshën 73-vjeçare doktoreshë Jeta Zalla (Deliallisi), një nga simbolet e mjekësisë durrsake, e cila u vu në shërbim të jetës së mijëra fëmijëve. Lajmin e hidhur e jep Urdhri i Mjekut Durrës, përmes një postimi në “Facebook”.

Pediatrja e njohur, doktoresha e apasionuar ndaj mjekësisë, kreu studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë në Univeristetin e Tiranës në vitin 1970, me rezultate te shkëlqyera.

Që prej vitit 1971 vesh uniformën e mjekes dhe prej më shumë se 40 vitesh, stetoskopi dhe shërbimi i saj nuk reshtën së punuari.

Specializohet si mjeke pediatre e pak më vonë edhe si mjeke reaminatore.
Prej asaj kohe doktoreshë Jeta, nuk do të kishte më as orar dhe as grafik, por do të rendte kudo ku nevoja për jetët e të vegjëlve do të kërkonte shërbim mjekësor.

“E çiltër si vetë pacientët e saj të vegjël, e pajisur me dije të thella dhe e sigurt në profesionin e saj human, doktoreshë Jeta do të bëhet kaq e dashur për çdo prind, të cilët do gjenin qetësi dhe zgjidhjen më të duhur tek kjo mjeke dhe grua e përkushtuar.
Sot që shkruajmë për të, është jo vetëm për të ndarë këtë lajm, jo vetëm për të ngushëlluar familjen, miqtë dhe bluzat e bardha të qytetit të Durrësit për këtë humbje, por edhe për të shprehur respektin për këtë mjeke, kontributi i së cilës e bën atë të paharrueshme mes nesh.
Lamtumirë doktoreshë Jeta Zalla (Deliallisi)!
Shpirti i saj u prehtë në paqe!”
, shkruhet në postimin e UMD-së.