Nga 15 janari deri më 15 maj 2025, në disa prej rrugëve kryesore të qytetit të Durrësit do të ketë ndalim qarkullimi të mjeteve ATP (automjetet të transportit të përzier) në fashën orare 07.00-09.00 dhe 16.00-18.00, nga e hëna në të premte. Ndërkohë do të ndalohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë ATV, mbi 6.5 ton, të cilët do të përshkojnë një itinerar të përcaktuar më parë nga bashkia.

Urdhri i dalë nga Policia Bashkiake Durrës synon të normalizojë trafikun e rënduar në rrugët e Durrësit në oraret e pikut. Në të gjitha akset kryesore hyrëse dhe dalëse në qytet është vendosur tashmë sinjalistika përkatëse për të paralajmëruar drejtuesit e këtyre mjeteve.

Duke nisur nga dita e hënë (20janar), për të gjithë të gjithë drejtuesit e mjeteve ATP dhe ATV që do të shkelin orarin e ndalim qarkullimit do të nisin të aplikohen masat administrative, të parashikuara në Kodin Rrugor.

Akset e Durrësit që preken nga kufizimi i qarkullimit:

Rruga “Adria”, “Stefan Kaçulini”, “Glaukia”, “Hysen Kërtusha”, “Aleksandër Goga” (nga Drejtoria e Policisë deri tek Prefektura), rruga “Dëshmorëve”, bulevardi “Epidamn”, “Egnatia”, “Taulantia”, “Currilave”, “Mars 91”, si dhe të gjitha segmentet rrugore në brendësi të unazës së përcaktuar sipas hartës.

“Policia Bashkiake i kërkon të gjitha subjekteve tregtare që të kryejnë veprimtarinë e tyre furnizuese sipas orarit përkatës dhe sinjalistikës së vendosur dhe njëkohësisht kërkon mirëkuptimin e tyre për këtë urdhër administrativ që synon normalizimin e trafikut”,– thotë për “DurrësLajm”, Ervis Quku, shefi i sektorit të qarkullimit në Policinë Bashkiake.

Nga kjo masë ndalim qarkullimi në fashat orare të mëngjesit dhe pasdites bëjnë përjashtim të gjitha mjetet e policisë, urgjencës, zjarrfikësve, Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale Durrës, Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale Plazh, Agjencisë së Parqeve Urbane, Ndërmarrjes Rruga dhe mjetet e transportit publik.

M.B.