Apartamentet që përfituan pas zhvillimit të shorteut publik për ndarjen e banesave në pallatin nr.19, në rrugën “Doktor Spiro Teska” në Durrës, kanë lënë të pakënaqur shumë familje.

Banorët kanë përfituar një sipërfaqe banimi shumë më të vogël sesa ajo që kishin para tërmetit.

“Unë mora apartament 1+1, nuk jam dakort. Kam bërë ankimim, kam takuar personalisht zonjën kryetare, kam takuar zyrtarë të tjerë të bashkisë. Më kanë dhënë të drejtë dhe më kanë thënë që do marr 2+1 siç më takon, por sot dola me apartament 1+1. Kam pasur sipërfaqe rreth 140 metra katrorë, bashkë me shtesën e ndërtuar në vitin 1994 dhe të pajisur me të gjitha dokumentet e nevojshme”,- thotë Nik Lila, të cilit do t’i duhet të banojë në apartamentin 1+1 së bashku me nënën, bashkëshorten dhe djalin e mitur.

“Me sipërfaqen nuk jam fare e kënaqur, sepse kisha sipërfaqe shumë më të madhe sesa kaq. 122 metra ishte sipërfaqja e apartamentit para tërmetit, ndërsa mora një apartament rreth 90 m2”,- thotë një tjetër qytetare.

“Jam i kënaqur me çfarë mora, por kam lënë shumë, rreth 20 metra”,- thotë një tjetër kryefamiljar i moshuar.

Shorteu publik u zhvillua paraditen e sotme në sallën e Këshillit Bashkiak, ndërkohë 23 familjet e pallatit të rindërtuar në po të njëjtin vend, presin të futen sa më parë në apartamentet e reja, pasi prej 5 muajsh nuk marrin bonus qiraje.

Por pavarësisht hedhjes së shortit, sistemimi në apartamentet e reja pritet të zgjasë në kohë për shkak të proçedurave që duhen ndjekur.

“Janë dy pallate të tjera të të njëjtit ndërtues, njësoj si pallati jonë, ku familjet kanë marrë edhe çelësin nga bashkia dhe vazhdojnë jetojnë ende me qira, sepse apartamenteve nuk u është lidhur uji dhe energjia elektrike. Nuk e di ku qëndron ngërçi mes bashkisë dhe ndërtuesit, pasi ai pretendon se nuk është paguar. Mua më intereson të futem me ujë dhe drita të lidhura në apartament”,– thotë qytetarja.

Banorët e mbetur të pakënaqur nga sipërfaqja e përfituar kanë vetëm një apel drejtuar bashkisë.

“Të më japin të paktën apartament 2+1, që të kem dhe unë dhomën time”,– thotë qytetari Lila.

M.B.