Kryedemokrati Sali Berisha doli në konferencën e parë për shtyp pas votimeve të 11 majit. Ai tha se të dhënat operative të PD-së tregojnë një rritje të elektoratit në zonat tradicionale të së djathtës.
“Të dhëna operative nga mbarë vendi dëshmojnë se në zonat tradicionale të qendrës së djathtë dhe të djathtës kanë një rritje të ndjeshme të elektoratit dhe priten konform kësaj rritje edhe rezultatet me një optimizëm të vërtetë”, u shpreh ai.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u dha porosi komisionerëve të PD-së që të zbatojnë vetëm ligjin. Sa i përket PS-së, akuzoi Ramën se ka zgjedhur të bëjë presion ndaj KZAZ-ve përmes bandave, veçanërisht në qytetin e Durrësit.
“Por unë jam këtu para jush për të deklaruar se sovrani foli. Vota është në duar të komisionerëve në përgjegjësinë më të madhe. Në Durrës bandat e Pojës, e Troplinit, kanë vërshuar drejt KZAZ-ve me urdhrin nga Edi Rama se mund të ndikojnë në rezultat. Kjo nuk është vetëm në Durrës, por ata janë më aktivë, janë denoncuar, qoftë nga media, qoftë nga PD. Dhe në zona të tjera Edi Rama ka zgjedhur një lloj presioni drejt KZAZ-ve. Tani, porosia ime e prerë për të gjithë komisionerët tanë në KZAZ, në komisionet e numërimit, të zbatohet ligji, ligji dhe vetëm ligji. Asnjë votë nuk mund dhe nuk duhet të numërohet në presion. Garantoj të gjitha bandat se qeveria e aleancës për Shqipërinë Madhështore do t’i shpallë ato banda terroriste dhe do marrin ndëshkimet më maksimale si të tilla. Unë kuptoj që ata janë në përpëlitjet e tyre të fundit dhe besojnë se mund të ndikojnë në vullnetin e sovranit. Asgjë s’mund të ndryshojë. Populli ka folur në mënyrë vendimtare”, tha Berisha.