Bashkia e Durrësit ka vlerësuar me “Çertifikatë Mirënjohje” pesë mësues të dalluar të qytetit bregdetar. Në një ceremoni të zhvilluar nga Bashkia Durrës, në të cilën kanë marë pjesë drejtues të strukturave arsimore në qytet si dhe mësues e drejtues shkollash, kryetarja e bashkisë Emiriana Sako ka dorëzuar titujt për mësuesit e përzgjedhur.

Ata janë: Orges Mema, Mandalena Pasho, Klenis Bushi, Estela Ballanca dhe Natasha Alushi.

Çertifikata e Mirënjohjes është dhënë me motivacionin: “Për kontributin në fushën e arsimit, për konsolidimin e shkollës, për edukimin shkencor dhe atdhetar të nxënësve, si shenjë vlerësimi ndaj misionit fisnik por edhe për modelin pozitiv që mësuesit transmetojnë në komunitet”.

Kryetarja e bashkisë Sako në këtë ceremoni ka vlerësuar dhe falenderuar mësuesit që falë punës së palodhur dhe pasionit ndër vite kanë kontribuar në rritjen dhe edukimin e brezave, rritjen e cilësisë së arsimit dhe përgatitjen e brezave të rinj.

