Muajin e ardhshëm pritet të nisë faza e dytë e rehabilitimit të shëtitores bregdetare të plazhit të Durrësit. Investimi në fjalë do të realizohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe do të financohet nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Projekti u prezantua gjatë një konsultimi publik, të zhvilluar në sallën e Këshillit Bashkiak Durrës.

Krahas ndërhyrjes në shëtitore, projekti parashikon rehabilitimin e 41 fasadave të pallateve, të ndërtuara në vijën e parë të bregdetit të kësaj zone.

“Pritet të fillojë në tetor dhe ka si qëllim rehabilitimin e pjesës së mbetur të shëtitores dhe rikonstruksionin e plotë të fasadave të brezit të parë. Ndërhyrja përfshin rreth 41 pallate të brezit të parë dhe vlera totale e projektit është rreth 6 milionë euro pa TVSH”, – deklaroi për “DurrësLajm” drejtori i Projekteve dhe Infrastrukturës Publike në bashki, Lorenc Facja.

Por ky nuk është i vetmi investim, që do të zbatohet në plazhin e madh, një nga hapësirat e bregdetit të Durrësit me frekuentimin më të madh gjatë muajve të verës.

Një projekt tjetër i rëndësishëm, që pritet të realizohet në një fazë të dyë është zgjerimi i të gjithë vijës bregdetare me një brez rëre rreth 25-30 metra.

Në projekt parashikohet që e gjithë sipërfaqja ranore të jetë uniforme dhe gjatë zbatimit të investimit do të prishen të gjitha strukturat e betonit të realizuara vitet e fundit nga subjektet private.

“Do të kemi një uniformitet të të gjithë brezit të rërës të plazhit të Durrësit. Ky brez rëre do të shtohet me një gjerësi 25-30 metra gjatë të gjithë gjatësisë së saj, nga Ura e Dajlanit deri në murin e ish-Bllokut. Do të ketë prishje të strukturave ekzistuese dhe uniformitet të brezit të rërës”,- shpjegoi Facja.

Ndërhyrja për shtimin e sipërfaqes ranore është ende në fazën e diskutimeve me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe BERZH dhe do të finalizohet në muajt në vijim.

M.B.