Në kushtet aktuale, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës nuk përmbush pritshmëritë për zhvillimin normal të seancave gjyqësore. Nevoja për një godinë të re është rritur pas implementimit të hartës së re gjyqësore, e cila bashkoi në gjykatën e qytetit bregdetar dosjet penale dhe civile të 4 bashkive.

“Kjo gjykatë nuk i përmbush pritshmëritë në funksion të dhënies së drejtësisë. Është një godinë me 3 kate, është një godinë ku gjyqtarët futen bashkë me palët në korridoret e gjykatës, në të njëjtat shkallë. Kemi salla gjykimi, të cilat nuk kanë as dhomë këshillimi, ndërkohë që duhet që gjyqtarët të kalojnë mes për mes palëve”,– tha gjatë një konference për shtyp zv/kryetari i saj Paulin Çera.

Gjykata e ndërtuar që në vitin 1961 ka vetëm 4 salla, ku zhvillohen proceset gjyqësore, nga të cilat vetëm njëra ka kafazin e hekurt, ku qëndrojnë të dënuarit. Një gjykatë me standarte optimale duhet të kishte 23 salla, aq sa është numri i gjyqtarëve në organikë thotë zv/kryetari Paulin Çera.

“Do ishte ideale të ishin 23 salla gjyqi, për çdo gjyqtar. Nëse duam një godinë me standarte të mira duhet të parashikohet edhe kjo gjë, pasi zhvillimi i gjyqeve në sallën e gjykimit rrit besimin e publikut tek drejtësia dhe transparencën në gjykim”.

Ambientet e papërshtatshme në dispozicion detyruan në fillim të muajit qershor Dhomën Vendore të Avokatisë të shpallte bojkotin. Bojkotit 2 ditor të Dhomës,  ju mbivendos dhe bojkoti 3 ditor i shpallur nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe për pasojë brenda një jave u shtynë jo pak, por 433 seanca.

“Shkëputja e 433 seancave gjyqësore ka sjellë patjetër një impakt negativ. Me gjithë mirëkuptimin e gjykatës, pasojat e drejtpërdrejta ndihen mbi palët ndërgjyqësore”,- tha Çera .

Premtimet elektorale për ndërtimin e një godine të re të gjyqësorit në Durrës kanë nisur që 10 vite më parë, por deri më tani thuajse asgjë nuk është bërë në këtë drejtim, pavarësisht diskutimeve ndërinstitucionale.

“Përpjekjet për një godinë të re janë të hershme. Me shkresa fillojnë që në vitin 2014. Ka pasur momente të caktuara, që kemi pasur sinjale që diçka po shkon pozitivisht por deri më tani situata mbetet e tillë. Jemi në pritje. Nuk ka mbetur vetëm në pjesën e lobimit personal, por është në pjesën e dërgimit të shkresave, komunikimeve të vazhdueshme. Vitet e fundit nga Këshilli i Lartë Gjyqësor ka pasur përpjekje duke komunikuar me institucionet përkatëse, por mbetemi ende pa një zgjidhje konkrete”.

Nga 23 gjyqtarë që ka në organikë Gjykata e Shkallës së parë, aktualisht ushtrojnë aktivitetin vetëm 11 të tillë, ndërkohë që secilit gjyqtar i takon të zhvillojë minimalisht 16 seanca në ditë. Për të garantuar një funksionalitet më të mirë të Gjykatës, në muajin shtator pritet të zbatohet marrëveshja e re e arritur mes KLGJ-së dhe Prokurorisë së Përgjithshme.

“Pavarësisht mungesës së ambienteve që kemi aktualisht është bërë një marrëveshje mes Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorisë së Përgjithshme, që seksioni civil i kësaj gjykate të transferohet për ta ushtruar veprimtarinë në ish-godinën e Gjykatës së Apelit në Shkozet. Mbi bazën e kësaj marrëveshjeje janë marrë masat për të bërë dhe sistemimin e funksionalitetin e kësaj godine me qëllim që të ushtrohet veprimtaria dhe pritet që në muajin shtator seksioni civil të transferohet në këtë godinë. Kjo nuk do të ishte një zgjidhje e mirë, por është e domosdoshme”,– deklaroi zv/kryetari Çera.

M.B.