Nga sot, Durrësi është pa Gjykatë Apeli. 2900 dosjet në pritje janë nisur drejt kryeqytetit, ndërkohë që qytetarët tashmë do të udhëtojnë drejt Tiranës për të ndjekur nga afër proceset gjyqësore.

Kjo është një kosto e shtuar financiare për ta dhe jo vetëm.

Përqendrimi i 5 Gjykatave të Apelit në Tiranë pritet të ndikojë ndjeshëm dhe në mbarëvajtjen e punës së këtij institucioni.

Kreu i Dhomës së Avokatisë Durrës Lorval Petani jep një parashikim të zymtë, sepse dhënia e vendimit për një çështje mund të kërkojë deri në 5 vite kohë.

Largimi i Gjykatës së Apelit nga Durrësi do të pasohet në korrik me shkrirjen e Gjykatës Administrative. Kjo pritet të jetë një kosto tjetër shtesë që do të rëndojë mbi qytetarët.

KLGJ shkriu 18 gjykata, duke reduktuar pesë gjykata Apeli në një të vetme në Tiranë, dhe 5 gjykata Administrative në vetëm dy, në kryeqytet dhe në Lushnje. Gjykata të Shkallës së Parë nga 22 që ishin, nga sot do të jenë vetëm 13.

Duket e trishtë, por vendimi i KLGJ-së mund të rezultojë një provë e dështuar 5-vjeçare në kurriz të qytetarëve dhe mund të shndërrohet në një kolaps gjyqësor.

M.B.