Nga Givi Targamadze
Nëntëmbëdhjetë vjet më parë, FSB-ja ruse — duke vepruar përmes një oligarku rus me origjinë gjeorgjiane që ishte fshehur nën maskën e opozitës politike — po zhvillonte një sulm të mirëorganizuar dhe intensiv ndaj shtetformimit gjeorgjian dhe ndaj zgjedhjes sonë euroatlantike, një sulm kulmi i të cilit ishte një tubim i pandërprerë. Forca lëvizëse e tij ishte një ngarkesë emocionale e fabrikuar duke përpiluar shkelje të veçuara të shërbimeve të sigurisë, të prokurorisë dhe të gjykatave, dhe duke fryrë në mënyrë artificiale, përtej çdo mase, pakënaqësinë e vërtetë të popullit — një tërbim që nuk kënaqej më me një hetim të vërtetë të atyre shkeljeve dhe me një dënim të merituar, por kërkonte ndryshim të plotë politik, i cili në të vërtetë synonte zëvendësimin e kursit ekzistues me një kurs pro-rus.
Në atë kohë unë — një politikan gjeorgjian, kryetar i Komitetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë në Parlament — dija mjaftueshëm se çfarë po ndodhte në të vërtetë. Prandaj, në zjarrin e çastit, iu drejtova adeptëve të rusëve, dhe vetëm atyre, me një fjali të vetme që, fjalë për fjalë, tingëllonte kështu: flamujt rusë nuk do të valëviten mbi Rustaveli (bulevardin kryesor të kryeqytetit gjeorgjian); ne do ta mbrojmë Rustavelin, do ta mbrojmë Tbilisin, do ta mbrojmë gjithë vendin; dhe për atë që po bëni tani, do t’jua nxjerrim shpirtin.
Makineria e mirërregulluar e propagandës në vendin tonë, që punonte me fuqi maksimale, ia preu menjëherë fjalët e fundit asaj fjalie, e fshiu plotësisht kontekstin, e montoi tri herë rresht “do t’jua nxjerrim shpirtin” dhe i përmbyti të gjitha platformat me këtë produkt. Ua nguliti njërëzve në mendje bindjen se unë thjesht po kërcënoja këdo me prirje opozitare, pa asnjë kontekst të mbrojtjes së vendit.
Dhe tani, nëntëmbëdhjetë vjet më vonë — pasi një oligark i mëvonëshëm i së njëjtës racë arriti, pavarësisht atij dështimi të dikurshëm, ta tërhiqte në orbitën ruse një vend që dikur njihej si feneri i demokracisë në rajon, një partner besnik i Shteteve të Bashkuara, pjesëmarrës në çdo mision të përbashkët ushtarak, kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian — u përballa me një ironi të dhimbshme. Prej më shumë se një viti, forcat patriotike mbajnë një protestë të pandërprerë për ta kthyer vendin në shtratin e tij të qytetëruar, dhe e shprehin atë pikërisht aty ku duhet, në bulevardin Rustaveli. Ata mbrojnë fizikisht atë truall, dhe Tbilisin përreth tij, dhe gjithë vendin, nga flamujt rusë. Bëjnë pikërisht atë që unë e formulova me fjalë nëntëmbëdhjetë vjet më parë. E megjithatë, kur më shohin, ajo që këta mbrojtës ende kujtojnë është “do t’jua nxjerrim shpirtin” i ngopur me propagandë, dhe jo, nga ky këndvështrim, paralajmërimi profetik për mbrojtjen e vendit.
Kështu ne, ndonëse qëndrojmë në të njëjtin breg, nuk arrijmë të kuptojmë njëri-tjetrin dhe nuk arrijmë ta fitojmë një betejë që duhet fituar bashkë. Kështu funksionon propaganda. Kështu i helmon zemrat më të zjarrta dhe mendjet më të shëndosha. Me kalimin e kohës bëhet gjithnjë e më e vështirë jo vetëm ta kujtosh të vërtetën, por edhe ta pranosh atë. Prandaj, çasti kur ky helm fillon të përhapet është pikërisht çasti për të gjetur brenda vetes forcën, dhe vullnetin, për t’i lënë emocionet të qetësohen, për t’i dhënë mendjes mundësinë e një analize të qetë, për ta parë të vërtetën dhe, mbi të gjitha, për ta pranuar ashtu siç është, dhe jo ashtu si do të të leverdiste më shumë në atë çast. Mospranimi i së vërtetës të çon në një rrugë të shtrembër dhe, me shumë gjasa, përfundon duke të rrëzuar fare.
Po i shoh ngjarjet e javëve të fundit në Shqipëri, dhe nga prapa dekadash përvoje shoh një pamje të njohur — jo te vetë protestat, që janë të vërteta dhe të drejta, por te makineria që është kapur pas tyre. Aparati propagandistik i Teheranit po punon me ngarkesë të plotë, dhe qëllimi i tij është të shtrembërojë të vërtetën: të futë indinjatën e sinqertë dhe të natyrshme brenda një teorie komploti, dhe të përfshijë njërëzit që kërkojnë të vërtetën në mbrojtjen e gënjeshtrës së një regjimi të huaj. Dëshira për të mbrojtur territorin, ishullin dhe llojet e rralla të florës e faunës, është krejtësisht e sinqertë dhe e natyrshme. Shkeljet janë reale, po ashtu edhe nevoja për ndreqje dhe dënim. Por asgjë prej tyre — asnjë ankesë e ligjshëm — nuk kërkon dorëzimin e zgjedhjes qytetëruese, të së ardhmes evropiane apo të partneritetit me Shtetet e Bashkuara. Kjo është kostumi që operacioni do t’ia veshte çështjes, dhe pikërisht këtë shqiptarët duhet të refuzojnë ta veshin.
Nuk keni pse t’i besoni këto verbërisht; shihni çfarë po qarkullon tashmë në rrjete. Rreth protestës për Zvërnecin kanë nisur të qarkullojnë video të shkurtra të prodhuara me inteligjencë artificiale — animacione me ngjyra të forta, në stilin e figurave “Lego” — që e rivendosin Shqipërinë si front të një “rezistence” kundër Izraelit. Nuk është pamje e re. Është pikërisht estetika që llogaritë pro-iraniane e prodhuan masivisht gjatë luftës së fundit mes Iranit, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, kur udhëheqësit amerikanë dhe izraelitë paraqiteshin si figura të vogla plastike, të shoqëruara me slogane dhe muzikë, të ndërtuara për përhapje virale. Llogaritë që mbjellin versionin shqiptar ende nuk janë gjurmuar zyrtarisht, por formati, gjuha dhe mesazhi përputhen me një kallëp pro-iranian tashmë të dokumentuar mirë. Një protestë që nisi për një bregdet, një lagunë dhe pyetjen se kush përfiton po rikompozohet në heshtje si kapitull i luftës së Teheranit me Perëndimin — dhe pikërisht ky rikompozim është thelbi i gjithë operacionit.
Jepini mendjes suaj një mbrëmje, qoftë edhe pak minuta; çlirojeni nga emocioni dhe do ta shihni menjëherë se imazhi i një Izraeli të lig, i “çifutëve”, pamja e një vendi që duhet shpëtuar urgjentisht nga tentakulat e tyre, është krejtësisht i rremë — një send i fabrikuar. Pastaj jepini kujtesës pak më shumë hapësirë dhe do ta gjeni edhe rrënjën e saj — mllefin dhe tërbimin që Teherani ushqen ndaj Shqipërisë, vendit që u dha strehë mijëra viktimave të një regjimi që torturon qytetarët e vet. Miqtë e natyrshëm të Shqipërisë janë Irani i vërtetë, populli i tij, jo njerëzit që janë ngulitur në pushtet në emrin e tij; dhe pikërisht me atë regjim Shqipëria i ndërpreu marrëdhëniet diplomatike. Që atëherë rrinë në pritë për një çast si ky, për një zemërim të natyrshëm që mund ta kthejnë në dobi të vetën dhe ta përdorin për ta tërhequr vendin tuaj, me duart tuaja, përtej qytetërimit, drejt orbitës së tyre të errët.
Kjo nuk është hiperbolë, dhe nuk është parandjenja e një njeriu të vetëm. Historia se si ndryshoi Gjeorgjia është historia se si e ndërton Irani ndikimin kur i jepet kohë dhe qetësi, dhe rrëfimi më i detajuar për të është një raport i marsit 2026 i Institutit Hudson nga Luke Coffey dhe analisti gjeorgjian Giorgi Kandelaki, i cili e përshkruan depërtimin e Teheranit në Gjeorgji si diçka që ka kapërcyer pragun nga episodik në sistemik.
Depërtimi nuk nisi me një imazh viral; nisi me institucione, dhe përparoi aq gradualisht sa për vite me radhë mezi dukej fare si fushatë. Fronte fetare dhe arsimore iraniane — degë të Asamblesë Botërore Ahl al-Bayt dhe të Universitetit Ndërkombëtar Al-Mustafa, të sanksionuar nga SHBA-ja — u vendosën haptazi, duke kultivuar rrjete besnike klerikësh dhe duke tërhequr të rinj nga komuniteti shiit etnik azerbajxhanas i Gjeorgjisë në rajonin e Kvemo Kartlit, në një rrjedhë që shkonte nga një medrese në qytetin e përgjumur të Marneulit drejt seminareve të Qomit dhe kthehej sërish. Platformat mediatike i pastronin narrativat antiperëndimore pikërisht në ato audienca. Ndikimi u përforcua, jo u kundërshtua, nga lart: kryeministri i Gjeorgjisë udhëtoi dy herë në Iran brenda një viti, njëherë për të varrosur presidentin Raisi në shoqërinë e udhëheqësve të Hamasit dhe Hezbollahut; kulla qendrore televizive në Tbilisi u ndriçua me ngjyrat e flamurit iranian për të shënuar përvjetorin e revolucionit të vitit 1979; një zëvendëskryeministër nënshkroi një libër ngushëllimi për nder të atyre që u vranë në sulmet amerikane dhe izraelite. Në Marneuli, procesione lëviznin nëpër rrugë duke brohoritur kundër Satanait të Madh dhe Satanait të Vogël — Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit — në një vend të krishterë që nuk kishte njohur ndonjë traditë domëthënëse të një urrejtjeje të tillë. Nën politikë rridhte një rrymë më e heshtur paraje: një valë regjistrimesh kompanish dhe importesh të lidhura me Iranin që e kthyen territorin gjeorgjian në një korridor për shmangien e sanksioneve, duke i dhënë Teheranit një interes material që Tbilisi nisi të ngurronte ta prekte.
Ajo që e bën rastin gjeorgjian më shumë se një histori paralajmëruese për propagandën është ajo që qëndron në fund të strukturës. I njëjti aparat që prodhon narrativa prodhon edhe agjentë. Një shtetas gjeorgjian, Polad Omarov, u dënua nga një gjykatë e Shteteve të Bashkuara për rolin e tij në një komplot të Gardës Revolucionare për të vrarë një gazetare iraniano-amerikane në Nju Jork — një shembull i një modeli të përpjekjeve iraniane për të vrarë kritikët e vet në tokë perëndimore. Një tjetër gjeorgjian u arrestua në Azerbajxhanin fqinj për një skemë të lidhur me Iranin për të vrarë një udhëheqës hebre vendas. Autorët e Hudson-it e përshkruajnë Gjeorgjinë si një vend që është shndërruar në terren pjellor për rekrutim agjenturor dhe mobilizim paramilitar, dhe shprehja meriton të lexohet fjalë për fjalë. Shtresa e butë e imazheve dhe predikimeve dhe shtresa e fortë e vrasësve të rekrutuar nuk janë dy programe të veçanta që rastësisht kanë të njëjtin sponsor. Ato janë gjysma e sipërme dhe e poshtëme e një makinerie të vetme, dhe funksioni i së parës është të përgatisë terrenin për të dytën — të kthejë fqinjët në armiq shumë kohë para se dikujt t’i kërkohet të veprojë.
Ka një detaj të fundit në historiën gjeorgjiane që e rrok, më mirë se çdo shifrë, sa larg mund të shkojë kalbëzimi. Kur u botua raporti i Hudson-it, shteti gjeorgjian nuk u përgjigj duke shqyrtuar gjetjet e tij. Hapi një hetim ndaj autorëve të raportit. Ajo përmbysje — një qeveri që i trajton si kërcënim sigurie njërëzit që emërtojnë një operacion të huaj, në vend të vetë operacionit — është simptoma e fazës së vonë të sëmundjes. Është çasti kur një shoqëri e ka përvetësuar aq plotësisht kornizën e kundërshtarit të vet sa nis të bëjë policim në emër të kundërshtarit. Gjeorgjia nuk arriti aty brenda natës. Arriti aty sepse fushatës iu lejua të grumbullohej, vit pas viti të heshtur, derisa u bë jo një trysni e jashtme mbi politikën e vendit, por një tipar struktural i saj.
Shqipëria po e ndesh të njëjtën metodë ndërkohë që ajo është ende një fushatë e veçuar, e dukshme dhe me vulë të jashtme, vetëm pak javëshe, dhe pikërisht ky është avantazhi i vetëm që Gjeorgjia nuk e pati. Një shoqëri që di ta emërtojë saktë një operacion sa kohë është ende i freskët ruan mundësi që një shoqëri tjetër i zbulon të humbura vetëm kur kthen kokën pas. Mbrojtja më e qëndrueshme kundër një operacioni ndikimi nuk ka qenë kurrë një rregull moderimi përmbajtjeje apo një njësi faktkontrolli; është refuzimi i një populli për t’i lejuar një regjimi të huaj t’i tregojë se kush janë armiqtë e tij. Ajo zgjedhje është para Shqipërisë tani, sa kohë ende kushton pak për t’u bërë — dhe kronika gjeorgjiane qëndron si rasti studimor më i shtrenjtë në dispozicion i asaj që humbet kushdo që e bën atë zgjedhje shumë vonë.
Givi Targamadze është politikan gjeorgjian dhe një nga udhëheqësit e Revolucionit të Trëndafilave të vitit 2003. Anëtar i Lëvizjes Kombëtare të Bashkuar dhe aleat i ngushtë i ish-presidentit Mikheil Saakashvili, ai shërbeu si kryetar i Komitetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë të Parlamentit Gjeorgjian nga viti 2004 deri në 2010. Në qershor 2025 ai u dënua me shtatë muaj burg pasi refuzoi të njihte një komision parlamentar të partisë në pushtet Georgian Dream, pjesë e një fushate më të gjerë shtypjeje ndaj opozitës së vendit.





