Disa punëtorë të Ndërrmarrjes “Rruga” sot ishin duke punuar tek ura që lidh fshatrat Jubë dhe Rrushkull.

Pas kronikës së publikuar nga “DurrësLajm” ku shfaqej degradimi i plotë i urës ka nisur “arnimi” i saj. Për banorët e zonës, ura e tipit “Bejli” është kthyer në shqetësimin kryesor të tyre.

“Duhet me rreziku, që të kalojmë. Këtu tallin menderen të gjithë. Vijnë e shohin, vënë dy dërrasa dhe gënjejnë qytetarët”.

“Problem është shumë ura për ne, sepse rregullojmë makinat po na prishen prapë duke e kaluar disa herë në ditë”.

“Unë kaloj 300 herë në ditë dhe çdo herë rrezikoj jetën. Aty rrezikon të biesh kur e kalon në këmbë, jo më me mjet”.

Ta përshkosh urën gjatë natës kthehet në mision thuajse të pamundur.

 “Natën është më i rrezikshëm kalimi i saj.  Erdhën disa italianë, i shoqërova unë me makinë, pasi deshën të ktheheshin mbrapsht se kishin frikë të kalonin”.

“Mundohemi mos të kalojmë natën këtu, i biem nga Sukthi, sepse dhe ne që e njohim rrezikojmë shumë.”

Sipas banorëve, mjetet e rënda që e përshkojnë atë janë shkaktarët kryesorë të gjendjes së amortizuar të urës së drunjtë. Ndërsa je duke përshkuar urën në këmbë ndjen lëkundjen e saj të frikshme sa herë kalojnë mbi të autovetura.

Por a është për komunitetin e këtyre fshatrave zgjidhje riparimi i pjesshëm i urës?

“Duhet t’i hedhin beton urës.“,- thotë një banor.

“Duke e riparuar vetëm me dërrasa nuk zgjidhet problemi ynë. Duhet t’i bëjnë tjetër derman”,- shton një tjetër.

Ura 115 metra e gjatë dhe 4 metra e gjerë u rikonstruktua në vitin 2017 me fondet e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe bashkisë Durrës. Investimi kapi shifrën rreth 16.6 milionë lekë.

M.B.