Pas gati 5 vitesh i mbyllur, Muzeu Etnografik i Durrësit më në fund i është nënshtruar restaurimit.

Ai që njihet si banesa ku kaloi disa vite të fëmijërisë aktori i famshëm Aleksandër Moisiu, mbylli dyert që në vitin 2019, fill pas tërmetit shkatërrimtar, të datës 26 nëntor.

Dëmtimet e shumta që mori banesa dy katëshe me çardak, e ndërtuar në qendrën historike të qytetit, detyruan autoritetet që ta mbyllin për vizitorët dhe turistët.

Restaurimi i godinës, që i përket gjysmës së dytë të shekullit XIX, po bëhet me fondet e BE-së, në kuadër të programit EU4Culture, ndërsa projekti po zbatohet nga UNOPS.

Investimi kap vlerën rreth 45 milionë lekë dhe pritet të përfundojë brenda 7 muajve.

Ky është muzeu i dytë i rëndësishëm i Durrësit në proces restaurimi, pasi edhe Muzeu Arkeologjik, që nga tetori i vitit 2022, ka mbyllur dyert.

Tërmeti i 5 viteve më parë, përveç dëmtimeve në mijëra banesa individuale dhe kolektive në Durrës, shkaktoi dëme të shumta edhe në trashëgiminë kulturore të qytetit antik.

Lëkundja sizmike shembi një pjesë të Kullës C, pjesë e murit rrethues të periudhës bizantine, e cila u rindërtua me blloqet dhe materialet e shkëputura prej saj, falë investimit të bërë nga Fondi i Ambasadorëve.

Dëmtime të shumta pësoi Hamami turk, që është një tjetër Monument Kulture i Durrësit në proces restaurimi.

M.B.