Ashtu si në të gjithë vendin, edhe në Durrës ka nisur zyrtarisht viti i ri mësimor 2021-2022 për shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të qytetit.

Me çanta mbi shpinë, nxënësit iu rikthyen këtë të hënë bankave të shkollës, duke qenë ende nën ethet e pandemisë së Covid-19 dhe në kushte të tilla, do të duhet të respektojnë masat si mbajtja e maskës apo distancës.

Nga ana tjetër, punonjësit e Policisë Bashkiake janë angazhuar në terren për të shmangur krijimin e trafikut në rrugët kryesore të Durrësit, duke qenë se sot janë të gjithë drejt institucioneve arsimore.

Deri më tani në Durrës e kanë marrë vaksinën 1300 mësues, ndërkohë që pjesa tjetër nuk janë vaksinuar, kryesisht për arsye shëndetësore. Këta të fundit do të duhet të paraqesin çdo javë pranë drejtorisë së shkollës testin PCR.