Dështon tentativa për të grabitur një pikë të këmbimit valutor në Durrës.

Ngjarja është regjistruar mëngjesin e sotëm, rreth orës 09.00 në lagjen nr.1, pranë shëtitores “Taulantia”.

Siç duket edhe në fotot që po publikon “DurrësLajm” (të shkëputura nga pamjet filmike të kamerave të sigurisë të pikës së këmbimit valutor) një person me kapuçin e xhupit të ngritur dhe pistoletë lodër në dorë ka kërcënuar punonjësen e kësaj pike t’i dorëzojë paratë.

Burime nga policia thonë se autori iu drejtua pikës së këmbimit valutor, por punonjësit e panë që ishte i armatosur dhe nuk kanë hapur xhamin e sportelit. Pas rezistencës së punonjësve, grabitësi u largua me shpejtësi nga vendngjarja.

Policia administroi pamjet filmike nga subjekti privat dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e të riut të armatosur.