Riparimi i pallateve të dëmtuara nga tërmeti solli dy të mira për disa nga banorët e lagjes nr.3; godinat që prej dy vite e gjysëm mbartnin shenjat e frikshme të lëkundjes sizmike, tani po riparohen krejtësisht, por nga ana tjetër, janë zhdukur edhe rrjetat e merimangave ajrore.

Në tetor 2021, “DurrësLajm” solli pamje filmike nga kjo zonë, ku moria e kabllove ajrorë të telefonisë, internetit, energjisë elektrike etj i përngjanin rrjetave të merimangave, ku Spiderman do ndihej si në shtëpinë e tij!

Sot, situata është komplet ndryshe.

Mesa duket nuk ishte kaq e pamundur që këto kabllo ajrorë të disiplinoheshin. Por mungonte vullneti i mirë i kompanive private për të ndërhyrë në këtë amulli ajrore që vetë kishin krijuar dhe nga ana tjetër indiferenca e institucioneve për të detyruar privatët të sistemonin estetikisht kabllot ajrorë.

Kabllot që më parë shtriheshin deri afër tokës duke rrezikuar qytetarët, tani janë vendosur në mënyrë të organizuar në disa metra lartësi. Por kjo rregullsi ekziston vetëm në pak metra linearë të rrugës, pak më tutje rrjetat e merimangave ngrenë krye kudo.

Problematika vijon në lagje të tjera, por shembulli pozitiv i rrugës “Ramazan Jella” mund të ndiqet në të gjithë qytetin.

Me pak mund e punë mund të krijohet një qytet estetikisht i pranueshëm nga të gjithë, jo një amulli alla shqiptarçe që askush nuk ndërhyn për ta sistemuar e rregulluar.    

M.B.