Një tjetër jaht luksoz ka mbërritur mëngjesin e kësaj të marte në portin e Durrësit.

Mjeti lundrues “Samadhi”, 61 metra i gjatë, është në pronësi të miliarderit amerikan Daniel Loeb, i cili ndodhej në bordin e jahtit, kur ky i fundit preku tokën shqiptare.

“DurrësLajm” mëson se jahti do të furnizohet me 40 mijë litra karburant dhe më pas do të nisë lundrimin drejt destinacionit të radhës të pushimeve të miliarderit Loeb, Dubrovnikut, Kroaci.

I ndërtuar në vitin 2006, ai është perfekt për lundrime të gjata në det. Ndërsa komoditeti dhe luksi në bordin e tij u ofron pasagjerëve një udhëtim të paharrueshëm.

Një ditë më parë, në port u ndal superjahti “Opera” në pronësi të njërës prej figurave kryesore në Emiratet e Bashkuara Arabe, sheikut Abdullah bin Zayed Al Nahyan. Superjahti rikthehej në Durrës, pas ndalesës që bëri në port në korrik të vitit 2024.

Pikërisht për shkak të çmimit të lirë të karburantit, porti i Durrësit është kthyer në një “atraksion” për superjahtet më luksozë të botës, të cilët vijnë për të mbushur plot serbatorët e tyre me naftë pa akcizë.

M.B.