Në gjendje tërësisht të degraduar, aq sa mund të rrezikojë në çdo moment jetën e atyre që e përshkojnë. Pamjet që po transmetojmë i përkasin urës që lidh fshatrat Jubë dhe Rrushkull, në bashkinë Durrës.

Kalimi i urës me automjet është kthyer në një makth të vërtetë, pasi makinat rrezikojnë të përfundojnë në lumin Erzen ashtu si ky furgon mallrash, gomat e të cilit mbetën mes gropave të stërmëdha, të krijuara në shtratin e urës me dërrasa.

Ura që lidh banorët e këtyre fshatrave të periferisë së Durrësit rrezikon çdo ditë jetën e nxënësve të shkollave, sidomos atyre më të mitur.

Komuniteti ndihet i braktisur dhe i indinjuar, pasi riparimet e pjesshme vetëm sa e kanë përkeqësuar më shumë gjendjen.

“Është e vetmja rrugë nga Hamallaj deri në ShënVlash, këtu do të kalojnë të gjithë për të shkuar në spital. Ambulanca këtu kalon. Jemi jashtë liste si njerëz”.

“Ka gjithë dimrin kështu. Një herë në 3-4 muaj këtë punë kemi. Nuk vë askush dorë, a ka apo s’ka njerëz këtu. Njerëzit kanë edhe frikë me fol, se edhe këta që duan të flasin i heqin nga puna”,- deklarojnë banorë të zonës.

Nuk është hera e parë që “DurrësLajm” e trajton problematikën e kësaj ure të tipit “Bejli”, që iu nënshtrua një rikonstruksioni të plotë në vitin 2017.

Ura 115 metra e gjatë dhe 4 metra e gjerë shërben si e vetmja rrugë lidhëse mes Rrushkullit dhe Jubës. Nëse nuk ndërhyhet menjëherë për riparimin e saj, banorët e këtyre zonave rrezikojnë të izolohen.

M.B.