Pas njoftimit të një dite më parë të bashkisë Durrës, që ftoi të gjithë qytetarët dhe subjektet të mos vendosin njoftime në shtylla, fasada apo në çdo vend tjetër të pa autorizuar, Policia Bashkiake ka nisur punën për gjobitjen e të gjithë shkelësve të ligjit dhe akteve normative në fuqi.

Gjatë ditës së sotme, Policia Bashkiake ka vënë gjashtë masa administrative me gjobë.

Përmes një njoftimi për shtyp, Policia Bashkiake u bën apel të gjithë subjekteve të respektojnë ligjin dhe aktet normative në fuqi, duke i vendosur këto njoftime në rrjetet sociale ose vendet e miratuara nga Bashkia Durrës.

Njoftimi i Policisë Bashkiake:

Duke marrë shkak nga ankesat e shumta të qytetarëve drejtuar Bashkisë Durrës dhe në veçanti Policisë Bashkiake të cilët me të drejtë ngrejnë shqetësimin për vendosjen në mënyrë abuzive dhe jashtë çdo norme qytetare të afisheve, posterave, njoftimeve në objekte publike, fasada, shtylla ndriçimi, pemë etj, Policia Bashkiake njofton të gjithë subjektet/ individët, me aktivitet shërbim funeral, agjensi imobilare, agjensi reklamash etj, të kryejnë funksionet dhe shërbimet e tyre konform ligjit duke mos afishuar postera, njoftime, afishe etj në objekte pronë e Bashkisë Durrës të tilla si ( mure, shtylla ndricimi, pemë etj) si dhe në muret e objekteve pronë private.

Të gjithë subjektet janë të detyruar të respektojnë ligjin dhe aktet normative në fuqi, duke i vendosur këto njoftime në rrjetet sociale ose vendet e miratuara nga Bashkia Durrës.

Shërbimet e Policisë Bashkiake gjatë këtyre ditëve kanë bërë njoftimet e të gjithë subjekteve, për çdo rast abuziv janë marrë masa administrative me gjobë. Gjatë ditës së sotme janë marrë gjashtë masa administrative me gjobë.

Ndaj subjekteve të cilët ushtrojnë aktivitetin e tyre në kundërshtim me nenin 8 pika 13 e ligjit nr. 8224 datë 15.05.1997 “Për Organizimin dhe funksionimin e Policisë Bashkiake”, (i ndryshuar), si dhe nenit 8 pika f të VKB-së nr.37, datë 31.03.2021 “Për përcaktimin e disa kundërvajtjeve administrative dhe sanksionin që vendoset për to në territorin e Bashkisë Durrës” do të merren masa administrative me gjobë deri në ndjekje penale nga organet kompetente.

Qëllimi ynë është i qartë, të ndërgjegjësojmë dhe ndëshkojmë të gjithë subjektet abuzuese.

Lutemi qytetarëve të na ndihmojnë në punën tonë duke denoncuar çdo rast abuziv në numrin tonë të telefonit +052 2322 50.

Të mbash pastër është një detyrë qytetare.