Policia Bashkiake e Durrësit fton të gjithë qytetarët dhe subjektet të mos vendosin njoftime në shtylla, fasada apo në çdo vend tjetër të pa autorizuar.

Policia bashkiake shprehet se këto njoftimi t`i shpërndajnë në rrjetet sociale ose në vendet e miratuara nga Bashkia Durrës.

Në njoftim thuhet se “Shërbimet e Policisë Bashkiake do të monitorojnë dhe ndëshkojnë për çdo rast abuziv subjektet/individët të cilët shkelin ligjin dhe aktet nënligjore në fuqi.”

Njoftimi i plotë:

Duke marrë shkak nga ankesat e shumta të qytetarëve drejtuar Bashkisë Durrës dhe në veçanti Policisë Bashkiake të cilët me të drejtë ngrejnë shqetësimin për vendosjen në mënyrë abuzive dhe jashtë çdo norme qytetare të afisheve, posterave, njoftimeve në objekte publike, fasada, shtylla ndriçimi, pemë etj, Policia Bashkiake njofton të gjithë subjektet/ individët, me aktivitet shërbim funeral, agjensi imobilare, agjensi reklamash etj, të kryejnë funksionet dhe shërbimet e tyre konform ligjit duke mos afishuar postera, njoftime, afishe etj në objekte pronë e Bashkisë Durrës të tilla si ( mure, shtylla ndricimi, pemë etj) si dhe në muret e objekteve pronë private.

Të gjithë subjektet janë të detyruar të respektojnë ligjin dhe aktet normative në fuqi, duke i vendosur këto njoftime në rrjetet sociale ose vendet e miratuara nga Bashkia Durrës.

Shërbimet e Policisë Bashkiake do të monitorojnë dhe ndëshkojnë për çdo rast abuziv subjektet/individët të cilët shkelin ligjin dhe aktet nënligjore në fuqi.

Qëllimi ynë është i qartë, të ndërgjegjësojmë dhe ndëshkojmë të gjithë subjektet abuzuese.

Lutemi qytetarëve të na ndihmojnë në punën tonë duke denoncuar çdo rast abuziv në numrin tonë të telefonit +052 2322 50.
Të mbash pastër është një detyrë qytetare.