Zbardhet dosja në ngarkim të dy rusëve Svetlana Timofeeva dhe Mikhail Zorin, dhe ukrainasit Fedir Alpatovdy, të akuzuar si bashkëpunëtor të shërbimeve sekrete ruse që veprojnë jashtë territorit të Republikës Federale Ruse, kapur në ish fabrikën e armëve në Gramsh.

Në dëshminë e saj, në dosjen e siguruar nga Top Channel, rusja Svetlana Timofeeva ka deklaruar se ka hobi të udhëtojë nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor për të studiuar objektet e braktisura të kohës se komunizmit. Për natën që mbërriti në uzinën e armëve në Gramsh, ajo tregon se nuk donte të futej, por insistoi rusi Mikhail Zorin.

“Ka ardhur në Shqipëri më datën 17 gusht 2022 nga aeroporti i Rinasit, nga aty ka bërë autostop për të shkuar në Durrës. Kur ka shkuar në Durrës ka takuar Mikhailin vetëm në Hostel–Durrës, pasi ai kishte rreth dy javë që kishte ardhur në Shqipëri dhe kishte ardhur nga Mali i Zi me biçikletë. Ajo nuk e di se ku Mikhalili ka fjetur atë natë i kujtohet se ka marrë apartament me qira, ndërsa ajo ka qëndruar në Hostel–Durrës. Më datë 18 gusht rreth orës 08:00 të mëngjesit ka ardhur në Shqipëri Fediri me traget. Ky i fundit ka komunikuar me Hostel–Durrës nëpërmjet aplikacionit Telegram. Svetlana Timofeeva me dy miqtë e saj është takuar mbasdite, ku filluan të lëviznin në drejtim të jugut dhe i ranë përqark disa maleve të qytetit të Elbasanit. Rrugës kanë bërë disa foto. Menduan të vizitonin Syrin e Ciklopit, por nuk shkuan. Shkuan në Hotel në Tiranë mesa mban mend quhej Hajnui.

Të nesërmen më datë 19 Gusht kanë udhëtuar drejt qytetit të Gramshit afër një rezervuari. Atë natë kanë fjetur në çadër portative afër Shushicës dhe të nesërmen u ngritën dhe shkuan drejt Gramshit, sepse Mikhaili i ka thënë që duhet të vizitojnë disa objekte të braktisura. Ai i ka thënë se këto objekte si fabkrika të braktisura janë që prej 30 vjetësh.

Svetlana Timofeeva sqaron se, shkuan tek kjo fabrikë dhe vuri re se ishte e rrethuar me tela me gjemba, ajo i ka thënë të dyve që po e shoqëronin se ajo nuk futet tek kjo fabrikë për shkak të rrethimit me tela. Ajo nuk donte ta vizitonte por Mikhail donte medoemos ta vizitonte, ndërsa Fediri e kishte me mëdyshje dhe për këtë arsye ata u ndanë në drejtime të ndryshme, ku do të takoheshin afër makinës. Pasi u ndanë Svetlana Timofeeva eci në fshat dhe vuri re se makina e Fedirit po ikte, ajo nuk kishte internet që ta pyeste se përse po largohej, kështu ndaloi disa djem në fshat, i kërkoi pak internet dhe pasi mori internet nga ata u lidha me Fedirin. Svetlana Timofeeva tregon se Fediri i tha, që po largohet se pa një makinë policie. Pas kësaj Fediri i tha të takoheshin në një fshat afër vendit ku ishin, ajo bëri autostop, ku një kamion e mori dhe e dërgoi tek makina e Fedirit. Pasi hipi në makinën e Fedirit e kapi policia. Më pas policia i mori dhe i shoqëroi për në Polici”-thuhet në dosje.