KPA ka lënë ditën e sotme në fuqi shkarkimin e kryegjyqtares së Durrësit, Marjana Velçanit.

Marjana Velçani u shkarkua nga detyra me vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK më 12 dhjetor 2019.

Sipas vendimit të arsyetuar të KPK-së, ajo rezultoi me mungesë burimesh të ligjshme për blerjen e një apartamenti, një makine si dhe për shpenzimet familjare.

Njoftim vendimi:

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Albana Shtylla relatore, Ina Rama, Mimoza Tasi, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.11/2020, datë 18.02.2020, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Marjana Velçani kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 222, datë 12.12.2019.

Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:

Lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 222, datë 12.12.2019, që i përket subjektit të rivlerësimit Marjana Velçani. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

U shpall sot, në Tiranë, më datë 26.05.2022.