Policia Bashkiake e Durrësit ka gjobitur disa subjekte të cilët kanë hedhur mbetjet urbane në hapësirat publike dhe në vijën bregdetare, jashtë orarit të përcaktuar nga bashkia.

Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Policia Bashkiake rikujton subjektet dhe individët të respektojnë oraret e përcaktuara si dhe të mbajnë pastër mjedisin.

Ndërkohë, kryebashkiakja Emiriana Sako është shprehur gjithashtu se do të merren masa radikale për të mbrojtur mjedisin.

Për të gjitha ato subjekte të mëdha, që depozitojnë mbetjet urbane apo inerte jashtë pikave të caktuara, ne do të marrim masa radikale për të mbrojtur sa më shumë mjedisin dhe për të dhënë një shërbim sa më të mirë për qytetarët e Durrësit dhe turistët”,- tha kryebashkiakja.

Kujtojmë se për qytetarët orari i hedhjes së mbetjeve do të jetë nga ora 06:00 deri në orën 23:00.

Për subjektet private, bizneset me aktivitet shërbimi hoteleri, restorant, supermarket, resort si dhe çdo subjekt tjetër, orari i hedhjes së mbetjeve do të jetë nga ora 23:00 deri në orën 04:00.

Postimi i Policisë Bashkiake Durrës:

Në zbatim të ligjit Nr. 89 datë 22.12.2022, “Për Policinë Bashkiake”, të VKB-së nr.37 datë 31.03.2021 “Për caktimin e disa kundërvajtjeve administrative dhe sanksionin që vendoset për to në territorin e Bashkisë Durrës”, të VKB-së nr. 41 datë 09.05.2022 “Për miratimin e rregullores së administrimit të mbetjeve në Bashkinë Durrës” nenit 50.

Shërbimet e Policisë Bashkiake kanë njoftuar nëpërmjet rrjeteve sociale si dhe nëpërmjet njoftimeve audio me megafon, të gjithë subjektet/ individët duke i njohur me orarin e përcaktuar për hedhjet e mbeturinave.

Gjatë këtyre ditëve janë ndëshkuar disa subjekte të cilët në menyrë të kundër ligjshme, jashtë orarit të përcaktuar nga Bashkia Durrës, në kundërshtim me çdo normë qytetare hedhin mbjetjet e tyre në hapësira publike si dhe përgjatë vijës bregdetare duke shkaktuar ndotjen e rërës dhe detit.

Ju sjellim në vemendje subjekteve/individëve të respektojnë oraret e përcaktuara si dhe të mbajnë pastër mjedisin.

Policia Bashkiake në zbatim të planit të masave për sezonin turistik veror 2023 është e angazhuar maksimalisht në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit me qëllim monitorimin, sensibilizimin, ndërgjegjësimin dhe ndëshkimin e të gjithë subjekteve/ individëve, të cilët shkelin ligjin dhe aktet normative në fuqi duke shkaktuar ndotje në mjedis.

Gjatë sezonit turistik veror 2023 shërbimet e Policisë Bashkiake do të jenë prezente në të gjithë vijën bregdetare duke dhënë një shërbim më të mirë ndaj qytetarëve dhe pushuesve në të gjithë vijën bregdetare të Bashkisë Durrës.