Festa e Abetares është ngjarje e veçantë në jetën e të gjithë fëmijëve të klasës së parë. Përmes këtij libri ata nisin rrugën e gjatë dhe të vështirë të dijes. Sot ishte radha e 28 vogëlushëve të klasës së parë C, të shkollës “Kushtrimi i lirisë”, në Durrës.

Nën kujdesin e mësueses së tyre Fitnete Allaraj, ata dhanë një koncert me këngë, valle e dramatazime para prindërve dhe të pranishmëve në sallën e odeonit “Nikolin Xhoja”.

“Festa e Abetares është një simbol që shënon edhe përfundimin e klasës së parë. Fëmijët janë të futur tashmë në rrugën e dijes dhe nisin të marrin formimin e tyre shkencor, që do t’i shoqërojë gjatë gjithë jetës.”

Duke mësuar shkronjë pas shkronje, numër pas numri vogëlushët e klasës së parë hedhin hapin e tyre të parë në botën e madhe të librit e shkencës. Në vitet në vazhdim, njohuritë e tyre do të shtohen, por librin e parë që u mësoi A B C-në nuk do ta harrojnë asnjëherë.