Stuhia “Ciaran”, ashtu si çdo stuhi tjetër, me apo pa emër, nxorri në pah qindra probleme e dështime në instancat qendrore e lokale.
Reshjet intensive të shiut, shoqëruar me erë të fortë, na sollën edhe njëherë tjetër përpara syve, Durrësin “venecian”.
E si të mos mjaftonte kjo, pasojat e motit të keq disa zona vijojnë ti ndjejnë edhe tani, disa orë pasi stuhia përfshiu qytetin bregdetar.
Shkozeti specifikisht, është në terr që prej orës 13:00.
E megjithëkëtë, ndonëse qytetarët durrsakë të lagjes nr.15 nuk shohin “dritë” prej më shumë se 5 orësh, në bilancin e bërë publik nga OSHEE sëfundmi, Durrësi nuk duket gjëkundi.
“Problematika të furnizimit me energji ⚡️ kemi në zonat Fier, Kavajë, Tiranë, Kukës, Koplik, Gjirokastër dhe Vlorë”, thuhet në faqen zyrtare të OSHEE, të ripostuar nga OSSH Durrës, me këta të fundit që nuk raportojnë e sqarojnë problemet për zonën që vetë mbulojnë.
Postimi i plotë i OSHEE:
⛈️ Moti i keq/OSSH rrit gatishmërinë në zonat e prekura, linjat 35kV në funksion të plotë
📍Prej disa orësh vendi ynë është përfshirë nga 🌧️ moti i keq, shoqëruar kryesisht me shtrëngata shiu dhe shkarkesa aftmosferike.
📍Kushtet e motit sollën dëme në shtylla, prezencë uji në kabina, stakime në disa linja 35kV dhe n/stacione.
📍Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), pjesë e OSHEE, rriti gatishmërinë në të gjithë vendin, me mjete transporti dhe bazë materiale, duke u përqendruar kryesisht në linjat e tensionit të lartë dhe n/stacione.
🧑🔧Grupet e avarive ndodhen në terren dhe po ndërhyjnë në ato zona ku moti ka një përmirësim, pasi në kushte të prezencës së shiut duhet të bëjnë kujdes në zbatim të sigurisë teknike.
📍Nga raportimi i orës 14:30, rezulton se kemi jashtë pune 71 fidera, ku më shumë se 85% prekin abonentë në zonat rurale.
📍Problematika të furnizimit me energji ⚡️ kemi në zonat Fier, Kavajë, Tiranë, Kukës, Koplik, Gjirokastër dhe Vlorë. Probleme ka patur edhe në n/stacione, por falë reagimit në kohë është bërë e mundur rikthimi i energjisë elektrike brenda 10 minutash.
📍Është e rëndësishme të theksojmë se të gjithë linjat e rrjetit elektrik që furnizojnë intitucionet e rëndësisë së veçantë, si spitalet dhe hidrovoret janë në funksion të plotë. Gjithashtu, edhe linjat e tensionit të lartë 35kV ndodhen në kushte optimale.