Më pak se 12 orë pasi DurrësLajmdenoncoi përmes pamjeve filmike dhe intervistave me pensionistët situatën kritike në të vetmen hapësirë publike të improvizuar për të bërë plazh, mjetet e rënda të NShK Durrës ndërhynë gjatë natës për pastrimin e sipërfaqes ranore në shëtitoren “Taulantia”.

Siç duket mjaft qartë nga videot e publikuara në rrjetet sociale nga ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, dhe më pas të shpërndara dhe nga kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, përgjatë gjithë mbrëmjes së të martës u ndërhy për pastrimin e rërës dhe largimin e leshterikëve.

“Ndërkohë që të gjithë shkojnë të flenë, në shëtitoren Taulantia në Durrës punohet, pastrohet, bëhet gati plazhi për pushuesit”, shkruan Kumbaro në Facebook.

“Vazhdojmë punën për pastrimin e përditshëm të qytetit si dhe të gjithë bregdetit. Larja e rrugëve dhe trotuareve, kryhet gjatë orëve të natës. Përveç shesheve, rrugëve dhe hapësirave publike në qendër puna vijon edhe nëpër lagjet e qytetit si dhe përgjatë vijës bregdetare. Punojmë pa pushim 24 orë në terren në shërbim të qytetit dhe qytetarëve.”, shkruan kryebashkiakja Sako.

Pamjet filmike të xhiruara ditët e sotme nga operatori Sokrat Toçi, dëshmojnë gjendjen reale të plazhit të improvizuar në shëtitoren “Taulantia”.

DurrësLajm” mëson se puna për pastrimin e të gjithë sipërfaqes së rërës do të vijojë edhe përgjatë mbrëmjes së sotme dhe ditës së nesërme.

Përtej propagandës qeveritare që zyrtarët shtetërorë e reklamojnë në rrjetet sociale si ndërhyrje të efekshme për garantimin e mbarëvajtjes të sezonit turistik, këto janë punë të përditshme që institucionet dhe drejtoritë përkatëse janë të detyruara t’i kryejnë si shërbime në interes të qytetarëve, që paguajnë taksa për mbajtjen pastër të mjedisit.

Është për t’u vlerësuar ndërhyrja urgjente e autoriteteve pas denoncimit të bërë nga media jonë, por nga ana tjetër vigjilienca e institucioneve që garantojnë shërbimet ndaj qytetarëve duhet të jetë shumë herë më e madhe sepse jemi në sezonin veror dhe sytë e të gjithëve janë drejt turizmit, motorit ekonomik të qytetit 3000-vjeçar.