196 qytetarë, të mbetur të pastrehë nga tërmeti i 5 viteve më parë, morën pjesë në ditën e parë të shorteut publik për ndarjen e 345 apartamenteve të reja, të ndërtuara në zonën e re për zhvillim, në Spitallë.
Një nga personat që tërhoqi goglën ditën e sotme ishte dhe Bashkim Xhika, banor i lagjes nr.5, i cili për shumë kohë ka qenë pjesëmarrës në një sërë protestash të zhvilluara para bashkisë, nga banorët e 5 pallateve, që kërkonin rindërtimin e godinave në po të njëjtin vend.
Pas gati 2 vitesh pa bonus qiraje, Bashkim Xhika është gati të shkojë në pallatet e reja në Spitallë, pavarësisht se e konsideron si internim sistemimin e ri.
“Më duket si një formë internimi, sepse i thonë Porto Romano. Për të gjithë ne është internim, sepse i kemi pasur shtëpitë në mes të Durrësit, jo në mes të kënetës në Porto Romano. Por 2 vjet pa bonus, 2 vjet pa asnjë lloj ndihme nga shteti, vetë i sëmurë, gruaja e sëmurë me kancer, e operuar 3 herë duhet me hy se s’bën. O me flejt jashtë, o me shku atje”,- thotë Xhika.
Shorteu nisi me tërheqjen e goglave fillimisht nga personat, që i përkasin kategorive prioritare, invalidë dhe pensionistë.
Edhe nesër do të vijojë shorteu publik për ndarjen e të tjera apartamenteve 2+1 nga 345 të planifikuara për t’u hedhur në short, ndërsa më datë 2 shtator do të zhvillohet shorteu për 154 familje përfituese të apartamenteve 1+1.
M.B.