GREQI-Përfundon gardhi me tela me gjemba në kufirin greko-turk, që u ndërtua me qëllim parandalimin e hyrjes së emigrantëve klandestinë nga Turqia. 

Gardhi arrin në 10 365 metra në gjatësi, shtrihet përgjatë kufirit tokësor, ndërsa lartësia pengesë është 4 metra, që konsiderohet e pakapërcyeshme pa mjete mekanike. 

Për ndërtimin e gardhit u përdorën rreth 6000 metra kub beton, 800 ton çelik dhe 210 000 metra tela me gjemba. Kostoja e projektit ishte 3.160.000 euro. 

Ngritja e këtij gardhi në kufirin greko-turk, bëhet me qëllim për të penguar fluksin e klandestinëve, që hyjnë në Greqi nëpërmjet Turqisë dhe synojne vendet e BE. 

Vetëm në vitin 2011, rreth 55 000 aziatikë dhe afrikanë u arrestuan, pasi u përpoqën të hyjnë në vend ilegalisht por mbetet i panjohur numri i emigrantëve të paligjshëm që arritën të depërtojnë dhe të arrijnë në qendër të Athinës, apo atyre që nuk e përfunduan dot udhëtimin e tyre. 

Emigrantët synojnë vendet e BE dhe përdorin Greqinë si tranzit, por në të shumtën e herëve mbeten në këtë vend, pa mundur të kalojnë në shtete të tjera të Evropës.