Një 26-vjeçar është arrestuar nga policia e Durrësit në kuadër të operacionit policor të koduar “Periferia”.

Bashkëpuntori i tij, një shtetas i mitur është proceduar në gjendje të lirë.

Ata janë autorë të disa vjedhjeve të ndodhura ditët e fundit në qytetin bregdetar.

Detajet i bëjnë të ditur blutë e qytetit në një njoftim zyrtar.

Njoftimi i policisë:

Durrës

Finalizohet operacioni policor i koduar “Periferia”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të vjedhjes së pronës dhe pasurisë.

Zbardhen disa vjedhje të ndodhura ditët e fundit, në qytetin e Durrësit, arrestohet në flagrancë autori i dyshuar i tyre, si dhe sekuestrohen mallrat e vjedhura.

Procedohet në gjendje të lirë një shtetas tjetër, bashkëpunëtor i shtetasit të arrestuar.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të punës për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve të tyre para përgjegjësisë ligjore, si dhe bazuar në informacionet e grumbulluara nga denoncimet e adresuara ditët e fundit në Komisariatin e Policisë Durrës, për një shtetas që vidhte në zona të ndryshme të qytetit të Durrësit, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Periferia”, në kuadër të të cilit:

u arrestua shtetasi J. B., 26 vjeç, banues në lagjen nr. 15, Durrës, për veprën penale “Vjedhja”, kryer më shumë se një herë, pasi u kap në flagrancë, duke vjedhur një shumë parash dhe disa pije, në lokalin e një shtetasi;

-u procedua në gjëndje të lirë shtetasi i mitur D. K., pasi dyshohet se ka bashkëpunuar me 26-vjeçarin, për kryerjen e vjedhjeve.

Në kuadër të operacionit “Periferia”, gjithashtu u bë e mundur zbardhja e 2 vjedhjeve të tjera, autorë të të cilave dyshohet të jenë 26-vjeçari dhe shtetasi D. K., konkretisht:

٠Më datë 26.09.2022, kanë vjedhur bagëtitë e imta të një shtetasi;

٠Më datë 21.07.2022, kanë vjedhur disa pajisje elektrike në banesën e një shtetaseje.

Vijon puna, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për zbardhjen dhe dokumentimin e rasteve të tjera të vjedhjeve që dyshohet se janë kryer nga këta shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.