E nisi serinë e përkthimeve në burgun e Spaçit, një vend që pak kujt do i shkonte në mendje. Bëhet fjalë për autorin dhe përkthyesin Maksim Rakipaj, që 15 vite të jetës i kaloi pas hekurave, i dënuar për agjitacion e propagandë.

“Përkthimin e kam nisur që herët, në kampin e Spaçit. Solla nga Spaçi rreth 35 përkthime, por nuk u mora më me atë punë kur dola prej andej, se më duhej të mbaja familjen. Kam punuar në det, kam qenë kapiteni i fundit i anijes “Vlora””,– thotë Rakipaj.

Në takimin me personalitete të letrave në Durrës, të organizuar nga Biblioteka e qytetit dhe shtëpia botuese “Jozef”, Rakipaj erdhi me një kolanë të pasur veprash, pjesa më e madhe përkthime të nobelistëve dhe shkrimtarëve të njohur botërorë, por edhe me vepra origjinale si novela “Hera e parë” apo libri me kujtime nga vitet e burgut  “I mbijetuar”.

“Janë bërë rreth 5100 a 5200 poezi nga kolosë të poezisë botërore, se di ekzaktësisht se më ka humbur numri i tyre. Kam sjellë në shqip sonetet e plotë të Shekspirit, Bukowski-n, etj, ndërsa me porosi të shtëpisë botuese kam përkthyer edhe romane, libra historikë etj”,- thotë përkthyesi.

Por nëse vitet e regjimit komunist ishin zhgënjimi i parë për Maksimin, edhe ato të demokracisë i kishin rezervuar një tjetër surprizë të hidhur, siç rrëfen ai për “DurrësLajm”.  

“Unë që kam qenë kapiten anijeje dhe s’kam marrë kurrë asnjë klandestin, sepse ia pata vënë kusht pronarëve, jo drogë dhe jo klandestinë, në vitin 2002 u detyrova të paguaj para dhe të hipja klandestin në një anije për të ikur në Itali”.

Ndërsa jeton prej mëse 20 vitesh në Itali, Maksim Rakipaj nuk i ndahet përkthimit, pavarësisht efektit moshë. Në planet e tij të afërta janë me dhjetëra poezi, pjesë e kolanave të ndryshme, që presin dritën e botimit.

M.B.