Është përkujtuar sot në Durrës 85-vjetori i rezistencës ndaj pushtimit italian.

Në ceremoninë e rastit, ku merrnin pjesë kryebashkiakja Emiriana Sako, prefekti Emiljano Jani, deputetë, veteranë dhe qytetarë durrsakë, u zhvilluan homazhe pranë bustit të Mujo Ulqinakut, ku u vendosën edhe kurora me lule në përkujtim të heronjve e dëshmorëve të kësaj rezistence.

Fjalën e rastit në këtë ceremoni përkujtimore e mbajti drejtori i Arsimit, Kulturës, Rinisë, Sporteve dhe Komuniteteve fetare në Bashkinë e Durrësit Ardian Gurra, i cili deklaroi ndër të tjera:

“Jemi sot këtu në këtë ditë historike për qytetin edhe gjithë Shqipërinë, për kujtimin e rezistencës antifashiste.

Kemi zgjedhur mënyrën e nderimit të himnit kombëtar dhe vendosjes së kurorave pranë memorialit të heroit të Popullit Mujo Ulqinaku, në mënyrë të thjeshtë, ashtu siç me thjeshtësi të rënët në këtë ditë zgjodhën t’i përgjigjeshin thirrjes së atdheut për ta mbrojtur”, tha Gurra.

Më 7 prill 1939, atdhetarët shqiptarë, Mujo Ulqinaku dhe të gjithë ata ushtarakë dhe vullnetarë nga Durrësi e i gjithë vendi, bënë rezistencën e parë dhe i treguan botës se cili ishte vullneti i këtij populli duke e kthyer 7 prillin në ditën e parë të rezistencës antifashiste të popullit shqiptar, duke vendosur me sakrificën e me gjakun e tyre vendin tonë në anën e duhur të historisë.

Lufta Antifashiste, si një ndër faqet më të ndritura të historisë së popullit tonë, zë fill pikërisht në sheshin ku ne sot, 85 vjet më pas, me një ndjenjë të lartë krenarie kujtuam ata që nuk kursyen as jetën e tyre për lirinë e atdheut.

Në këtë ditë i drejtojmë nderimin tonë edhe të gjithë atyre brezave që kanë lënë gjurmë në historinë e qytetit tonë dhe të gjithë Shqipërisë.