Pesë ditë pas përmbytjeve në Durrës, bilanci i dëmeve ende nuk ka përfunduar dhe nuk mund të flitet për një vlerë paraprake.
Sipas prefektit të Qarkut Durrës, Emiljan Jani, 20 grupe vlerësimi vijojnë punën në terren dhe deri më tani kanë evidentuar 440 banesa të prekura nga përmbytjet, ndërsa procesi po shkon drejt përfundimit.
Zonat më të prekura janë periferia e Durrësit si ish-Këneta, Plazhi e Shkozeti dhe njësitë administrative Katund i Ri dhe Sukth.
Pas finalizimit të procesit në terren, të dhënat e mbledhura nga grupet e verifikimit do t’i kalohen Këshillit të Qarkut, i cili do të nisë procedurat për dëmshpërblimin e banorëve të prekur.
Prefekti Jani deklaron se përveç reshjeve me intensitet të lartë, një nga shkaqet kryesore të përmbytjes ishte bllokimi i kanaleve të ujërave të larta nga mbeturinat e hedhura nga banorët.
“Shkaku kryesor i përmbytjeve ka qenë sasia e madhe e reshjeve, sepse nga ora 10.00 deri në 14-15.00 kanë rënë rreth 92.2 mm shi. Por problematikë tjetër janë dhe kanalet, të cilat jo të gjitha janë në gadishmëri të plotë. Mbetjet urbane nëpër kanalet e ujërave të larta janë jashtëzakonisht shqetësues. Kemi gjetur deri kolltuqe, pajisje elektroshtëpiake në to”,– tha ndër të tjera prefekti I qarkut.
Gjatë kësaj periudhe, 31 qytetarë u strehuan përkohësisht në qendrat e emergjencës, pasi në shtëpitë e tyre nuk ishte e mundur të banohej për shkak të prezencës së ujit.
M.B.