Gjatë sezonit veror përmes Portit Detar të Durrësit kanë lundruar me tragete 410 mijë udhëtarë vendas dhe të huaj, me 93.500 autovetura gjithsej. Një numër vërtet i madh në krahasim me një vit më parë ku shifrat tregonin 10% më të ulta se këtë vit. Me nisjen e sezonit veror dhe shtimin e numrit të udhëtarëve të cilët udhëtonin përmes portit të Durrësit,  drejtuesit e institucioneve shtetërore në territorin e Portit Detar dhe përfaqësuesit e shoqërive të lundrimit zhvilluan një takim për bashkërendimin e punës me qëllim përmirësimin e performacës portuale, si dhe lidhur me përballimin e fluksit të udhëtarëve dhe automjeteve, me tragete, gjatë sezonit veror. Në këtë takim u bë diskutimi i problematikave të pritshme dhe nga përvoja e krijuar gjatë viteve të fundit u vendos që të merreshin disa masa paraprake.

Disa nga masat ishin: orientimi sa më i mirë udhëtarëve dhe mjeteve në hapësirat portuale, në mënyrë që koha e qëndrimit të tyre në portin detar të shkurtohej sa më shumë. Ndërkaq, edhe institucionet që operojnë në hapësirën portuale, të rrisnin kapacitetet duke punuar me orare të zgjatura si dhe duke shtuar numrin e sporteleve në shërbim të udhëtarëve dhe automjeteve. Autoriteti Portual në bashkëpunim me kompaninë që ndërton terminalin e trageteve vendosën hapësira të tjera më të mëdha në dispozicion të automjeteve gjatë proçesit të imbarkimit dhe zbarkimit. Mjetet lundruese të udhëtarëve, pra tragetet dhe katamaranët, kanë patur prioritet në hyrje dhe në dalje të basenit portual krahasuar me anijet tregtare të mallrave. Punonjësit e agjencive të lundrimit këtë vit ishin mjaft të organizuar, madje edhe me veshje të identifikuara, duke lehtësuar komunikimin e udhëtarëve me ta.