Pishina olimpike “Taq Dafa” në Durrës, në këto ditë të nxehta korriku është e mbushur me fëmijë të vegjël, që e frekuentojnë atë.

Shumë kampe verore kanë përfshirë në programin e tyre ditor frekuentimin e pishinës olimpike, por kjo e fundit lë shumë për të dëshiruar përsa i përket mirëmbajtjes.

Video e mëposhtme që ka mbërritur në redaksinë e “DurrësLajm” dëshmon dëmtimin që kanë pësuar mbrojtëset plastike të kanaleve anash pishinës, të cilat filtrojnë ujin e saj.

Siç duket qartë në pamjet filmike, ato mungojnë thuajse në të gjithë gjatësinë e pishinës dhe nuk janë zëvendësuar.

Sipas një burimi, problemet e theksuara që lidhen me mirëmbajtjen e pishinës “Taq Dafa” janë shoqëruar këtë verë edhe me anulimin e turneut mbarëkombëtar “Teuta cup”, i cili në muajin qershor mblidhte në Durrës me qindra notarë, anëtarë të dhjetëra klubeve të notit nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut

“DurrësLajm” kontaktoi me drejtues të Klubit Shumësportësh “Teuta” lidhur me anulimin e turneut mbarëkombëtar të notit, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk kemi marrë përgjigje.

Turneu mbarëkombëtar “Teuta cup” krijoi një traditë të bukur për disa vite me radhë në pishinën olimpike në Durrës, ku çdo vit u thyen rekorde kombëtare nga notarët pjesëmarrës.