Pishina publike “Taq Dafa” është e mbushur plot me fëmijë të vegjël, që duan të mësojnë notin.
Në këto ditë të nxehta qershori, që përkojnë edhe me përfundimin e shkollës, stacioni i tyre i përditshëm është pikërisht pishina olimpike.

Të vegjlit janë ata që ndjekin me shumë vëmendje instruksionet e trajnerëve, për t’u perfeksionuar sa më shumë në stilet e notit, zhytje etj.
“Shumë mirë e kaloj kohën, bëj not, mësoj si të zhytem, si ta mbaj frymën”.
“Pishina mua më duket shumë bukur, vij përditë këtu”.
“Vi 6 herë në javë. Kam ardhur edhe vitet e kaluara. Këtë vit është shumë mirë”,- na thonë notarët e vegjël.
E hapur që në orët e para të mëngjesit, pishina mirëpret nga të gjitha grupmoshat, – thotë për “DurrësLajm” trajneri Gjergj Ngresi.
“Në orën 06.00 vijnë personat që para se të ikin në punë bëjnë not. Grupmoshat janë të ndryshme, fillojmë nga 4 vjeç e deri 60 vjeç”.

Për të gjithë të interesuarit, aktualisht instruktorët ofrojnë 4 orare kursesh, dy paradite dhe dy pasdite, por të tjera orare mund të shtohen në ditët dhe javët në vijim.
“Kemi 4 orare kursesh për fëmijët; 09.00 – 10.00; 10.00-11.00; 17.00-18.00 dhe 18.00-19.00. Vijnë rreth 70 fëmijë çdo ditë, që nga 15 qershori kur nisëm kurset”.
“Nëpër grupe janë diku tek 7-8 fëmijë që mësojnë notin. Nisin nga mosha 4 vjeç deri në moshën 8 vjeç grupet fillestare, që janë të fëmijëve që mësojnë notin.”, tregon instruktori Ron Mujali, që merret me më të vegjlit.
E rikonstruktuar totalisht vitin e kaluar, pishina olimpike “Taq Dafa” ofron të kushtet optimale për të vegjlit që duan të mësojnë notin, por edhe për profesionistët, siç janë notarët e ekipit kampion “Teuta” që stërviten aty.
Noti rekomandohet nga mjekët si kurë për shumë sëmundje, si skolioza etj dhe siç na tregojnë instruktorët pishina në këto raste ofrohet falas për personat me aftësi të kufizuara.
E hapur që në vitin 2015, pishina “Taq Dafa” është e vetmja pishinë publike në qytetin bregdetar dhe njëkohësisht është e vetmja në Shqipëri, që përmbush të gjitha kërkesat për një pishinë olimpike.
M.B.