Një orë e gjysëm pas ngjarjes, Policia e Durrësit ka dalë me reagim zyrtar për plagosjen me thikë të një efektivi të saj në lagjen nr.1 të qytetit, ngjarje për të cilin “DurrësLajm” raportoi më herët.

“Rreth orës 11:00, Policia ka marrë njoftim nga qytetarët, se në lagjen nr. 1, një shtetas po lëviste në rrugë, me mjet prerës, në dorë, duke u bërë rrezik për kalimtarët.

Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në adresën e dhënë ku kanë konstatuar shtetasin F. C., duke mbajtur një mjet prerës (thikë), në dorë. Gjatë ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, për neutralizimin e këtij shtetasi, është dëmtuar lehtë në dorë, nga mjeti prerës, punonjësi i Policisë E. C., i cili po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën”,– njofton policia.

Mësohet se autori i ngjarjes, që lëvizte me thikë në dorë, është vënë në pranga.

“Shërbimet e Policisë e kanë shoqëruar shtetasin F. C., 38 vjeç, në Komisariat, për veprime të mëtejshme. Mjeti prerës është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të rastit”,- vijon njoftimi i policisë.