Sipërfaqja e rërës në zonën e Plazhit, nga Agipi në Iliria, është kthyer prej mëse tre muajsh në kantier ndërtimi.

Punimet për ndërtimin e shtëtitores buzë detit vijojnë përgjatë gjithë vijës bregdetare.

Por kjo si ka penguar qytetarët, të kryejnë ritualin e përditshëm, shëtitjen buzë detit.

Për disa prej tyre, investimi që po realizohet në këtë zonë është ndërhyrja e duhur.

“Eshtë rrugë e përsosur, të rrojë Edi Rama. Eshtë investim shumë i mirë”,- thotë një banore e zonës.

“Ka qenë shumë e domosdoshme kjo pedonale. Eshtë bërë zgjidhja e duhur”,- thotë një tjetër qytetare.

Por të tjerë janë më skeptikë dhe presin përfundimin e punimeve për të dhënë një gjykim më të saktë për investimin.

“Duhet të bëhet me parametrat e duhura. Specialist unë nuk jam, por kështu nuk vazhdohet”,– thotë një qytetar.

“Hiq rërë e hidh çakull. Niveli i bordurës duhet të ngrihet më lart 30-40 cm” ,- deklaron një tjetër.

Afati i përfundimit të punimeve për lotin e parë është muaji qershor, por disa nga qytetarët durrsakë shprehen skeptikë për përfundimin e tyre në kohë.

“E vështirë është të përfundojë në kohë, po punojnë ngadalë”.

“Të përfundojë sa më shpejt, se do të pengojë sezonin. Do të ndikojë shumë në mbarëvajtjen e tij”,– deklarojnë qytetarët për “DurrësLajm”.

Projekti i shëtitores së plazhit arrin vlerën 285 milionë lekë, ndërkohë faza e parë shtrihet në një gjatësi prej 2 km.

Përveç pedonales 7 metra të gjerë, ndërhyrja po realizohet edhe në det për të zgjeruar sipërfaqen ranore.

Gjatë vizitës së tij, dy ditë më parë në Durrës, kryeministri Rama tha se segmenti tjetër i Lungomares me gjatësi 1 km (faza e dytë) do të lidhet me portin e ri turistik, të investitorit Mohamed Alabbar.

M.B.