Edhe pse Big Brother VIP Albania ka përfunduar, diskutimet dhe përplasjet mes ish-banorëve vazhdojnë të mbajnë interesin e publikut.

Së fundmi, një video që po qarkullon me shpejtësi në rrjet ka rikthyer në vëmendje raportin mes Rogert dhe Selin. Në pamje, Rogerti shihet duke kënduar në një klub nate në Tiranë një këngë që ia kishte dedikuar Selinës gjatë qëndrimit në shtëpi, duke nxitur reagime të shumta online.

E ftuar në Goca dhe Gra, fituesja e edicionit reagoi hapur për situatën. Ajo konfirmoi se e kishte parë videon dhe nuk i kurseu ironitë ndaj ish-konkurrentit.

“Unë vazhdoj përpara me punën time, ndërsa dikush tjetër duket se ka zgjedhur të ecë duke përdorur emrin tim,” u shpreh Selin, duke lënë të kuptohet qartë qëndrimin e saj.

Komenti i saj u interpretua gjerësisht si një mesazh se ajo është fokusuar te suksesi personal, ndërsa të tjerë po përpiqen të përfitojnë nga fama e saj.

Gjatë intervistës, ajo u pyet edhe për mundësinë e ndjekjes ligjore të çështjes. Selin pranoi se një ide e tillë i është sugjeruar shpesh, por ka zgjedhur të mos e ndjekë këtë rrugë.

“Shumë më kanë thënë ta çoj në gjyq, por unë besoj se gjithçka ka një drejtësi tjetër. Në fund, secili merr atë që meriton,” deklaroi ajo.