Është shoqëruar me debate mbledhja e Këshillit Bashkiak, pasi këshilltarët e majtë dhe të djathtë kanë shkëmbyer replika njëri me tjetrin lidhur me marrëveshjen mes Bashkisë Durrës dhe Agjencisë së Kadastrës për procesin e legalizimit.

Miratimi i njësisë së legalizimit në mbledhjen e muajit korrik dhe punësimi i 20 specialistëve, që do të merren me këtë proces është cilësuar nga të djathtët si tentativë për të ndikuar në procesin elektoral të vitit të ardhshëm.

“Sot jemi pas 12 vitesh që diskutojmë prapë procesin e legalizimeve dhe vijmë në momentin që ju po kërkoni prapë dukshëm për efekt elektoral një vit kontratë me ASHK-në t’i bëni njerëzit që të përplasen prapë tek dyert e bashkisë, që të vijnë njerëzit tek ju, mos të shkoni ju tek njerëzit. Kjo na bën të mendojmë që është komplet për efekt elektoral”,- tha kreu i këshilltarëve të PD, Dritan Burgija.

“12 vitet e fundit, qeveria socialiste nuk e zgjidhi këtë çështje, e cila ishte nevralgjike. Pavarësisht se personalisht kam qenë kundër një ligji që nuk zgjidhte problemin e pronës, por zgjidhte problemin e legalizimeve. Uroj dhe dëshiroj që ky problem të zgjidhet njëherë e mirë, por jam skeptik. Ajo që nuk u bë për 12 vite të bëhet për një periudhë shumë të shkurtër kohore. Mbetem skeptik lidhur me nismën e qeverisë”,– tha këshilltari i djathtë Joni Myshketa.

Këshilltarët e majtë që morën fjalën akuzuan qeverinë Berisha për kaosin me procesin në fjalë dhe nënvizuan vështirësinë që e karakterizon përmbylljen e procesit të legalizimeve në të gjithë vendin. 

Në Durrës janë mbi 15 mijë dosje legalizimesh, që pritet të shqyrtohen në Kadastër. Kryebashkiakja Emiriana Sako deklaroi se krijimi i njësisë së legalizimit pranë bashkisë Durrës dhe marrëveshja me ASHK i jep pushtetit vendor një rol koordinues dhe menaxhues të procesit.

“Nuk kemi rol në procesin ligjor që kryejnë instituciomet përkatëse të ASHK-së, pjesa e legalizimeve. Pra bashkia nuk do të marrë përsipër të kryejë procedura që i takojnë vendimmarrjes së ASHK-së, në bazë të ligjit të vitit 2020. Durrësi ka rreth 15 mijë dosje në proces legalizimi dhe stafi i ASHK-së sigurisht që është në një proporcion  shumë herë më të vogël për të mbuluar brenda afatit të vitit 2028 përmbylljen e të gjithë procesit të legalizimeve. Për ta përmbledhur, roli ynë është koordinues dhe menaxhues përsa i takon orientimit të problematikave”.

Miratimi i kësaj pike të rendit të ditës kaloi vetëm me votat e të majtëve, pasi 9 këshilltarët e djathtë të pranishëm në mbledhje votuan kundër.

M.B.