Banorët e pallatit nr.7, rruga “3 vëllezërit Thanasi”, në zonën e plazhit kanë zhvilluar mëngjesin e sotëm një protestë para prokurorisë Durrës. Ngjitur me pallatin e tyre të dëmtuar nga tërmeti, i cili është vlerësuar nga Instituti i Ndërtimit me dëme DS3 kanë nisur punimet për ndërtimin e një pallati të ri, i cili sipas banorëve rrezikon t’u shembë godinën, që edhe 2 vite pas tërmetit, nuk është rikonstruktuar ende.

“Ne po presim të vijnë të na riparojnë pallatin, ai vjen me na gropos fare. Perëndia na ruajti, robi do na marrë jetën”,– thotë një nga banorët.

Leja për ndërtimin e pallatit të ri 6 katësh është dhënë që në vitin 2019 dhe sipas banorëve, 2 vite më parë, pas ankesave të tyre, ish-kryebashkiaku Vangjush Dako i pezulloi punimet.

Banorët kërkonin ditën e sotme takim me prokuroren e Durrësit, pasi ngrejnë pretendimin se prej dy vitesh çështja e depozituar prej tyre në prokurori zvarritet dhe nuk i jepet zgjidhje.

“Kërkojmë takim urgjent me kryeprokuroren, kërkojmë direkt ndalim të punimeve dhe riparimin e pallatit tonë që është duke rënë”,- deklaruan banorët.

Punimet për pallatin e ri mund ta dëmtojnë edhe më shumë godinën 8 katëshe, ku sipas banorëve, ende pa u hapur gropa për themelet e plintat, ata kanë nisur të konstatojnë se dëmtimet e pësuara 2 vite më parë kanë nisur të theksohen.

M.B.