Policia e Durrësit ka reaguar në lidhje me rastin e transmetuar mbrëmjen e djeshme, në emisionin investigativ “Fiks Fare”, në televizionin Top Channel, ku shfaqet një punonjës policie duke shpërdoruar detyrën, për të cilin bën me dije se është pezulluar menjëherë nga detyra dhe ka nisur hetimi disiplinor ndaj tij.
REAGIMI I DVP-së Durrës:
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në zbatim të pikës 8 të nenit 222 të Rregullores së Policisë së Shtetit, ka pezulluar menjëherë nga detyra, punonjësin e Policisë Nënkomisar E. Ç., me detyrë oficer në Komisariatin e Policisë Shijak.
Gjithashtu, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin disiplinor ndaj tij, për shkelje të pikës 1 të nenit 209 të Rregullores së Policisë së Shtetit “Nuk përmbush apo dështon në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të cilat kanë shkaktuar pasoja të rënda në kryerjen e detyrave”.
Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimin penal ndaj punonjësit të Policisë.
Policia e Shtetit falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e abuzimit me detyrën, nga punonjësit e Policisë, dhe i fton sërish ata, që të denoncojnë çdo rast të tillë, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm e të paanshëm.