Policia e Shtetit feston sot 112-vjetorin e krijimit. Me këtë rast në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës u zhvillua një ceremoni solemne ku merrnin pjesë drejtues të lartë të strukturave lokale të rendit, drejtues të institucioneve vendore, si dhe efektivë të policisë.

Gjatë këtij viti, Policia e Shtetit është përpara një sfide të rëndësishme, mirëmenazhimin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, që do të kërkojë një angazhim shtesë nga ana e strukturave policore.

Sfidat e policisë përgjatë këtij viti do të jenë të shumta për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, sidomos gjatë sezonit turistik, por dhe në goditjen e elementëve kriminalë dhe zbardhjen e ngjarjeve të rënda në kohë rekord.

“Një nga arritjet më të rëndësishme të uniformave blu është rritja e besimit të qytetarëve tek policia”,– tha ndër të tjera gjatë fjalës së rastit zv/drejtori i Rendit në DVP Durrës, Bedri Hasanaj.

Në ceremoninë e organizuar në Durrës mungonte drejtori i ri Vilson Bala, që ndodhej në ceremoninë e mbajtur në kryeqytet.

Në fund të ceremonisë, u nderuan me certifikatë mirënjohjeje të akorduar nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, nëndrejtori i DVP Durrës, Bujar Deliallisi, shefi i komisariatit të policisë Algert Gjonaj, komisari Karafil Xholi dhe efektivët e policisë Edmond Zeneli dhe Sami Gjyzeli.

M.B.