DURRËS, 6 shkurt 2015 –  Punonjësit e portit të Durrësit ndërmorën nismën e solidaritetit me popullsinë e zonave të përmbytura, kryesisht në jug të vendit. Në një takim të organizuar të premten, më 6 shkurt 2015, pasdite, në sallën e konferencave të Autoritetit Portual Durrës (APD), bashkë me punonjës të administratës morën pjesë edhe përfaqësues të operatorëve, koncesionarëve, kontraktuesve, agjencive detare etj, të cilët iu bashkuan kësaj nisme. Drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i APD-së, Selim Belortaja, tha se brenda ditës do të kalojë një fond emergjence prej 15 milionë lekë në mbështetje të banorëve në zonat e përmbytura. Në fjalën e tij, Belortaja, pasi falënderoi pjesëmarrësit në takim, tha: 

“Përmbytjet e javës së fundit, që prekën kryesisht zonat jugore të vendit nuk mund të na lenë indiferentë. Mijëra bashkëqytetarë janë në vështirësi, shpesh herë edhe ekstreme. Në këto kushte lindi gjatë orëve të fundit në portin e Durrësit edhe nisma e solidaritetit me të gjithë njerëzit që vëllezërit dhe motrat që kanë nevojë për gjithçka, e mbi të gjitha për ngrohtësi njerëzore. Kjo është arsyeja që po ju drejtohemi të gjithëve ju, por edhe familjeve tuaja, që të bashkohen me nismën tonë të solidaritetit, si qytetarë, si prindër, si vëllezër, por edhe si bij. Drejtoria e përgjithshme ekzekutive e APD-së ka akorduar një fond emergjence prej 15 milionë lekë, që do të kalojnë shumë shpejt përmes llogarisë bankare të emergjencave civile për popullsinë e zonave të përmbytura. APD-ja fton të gjithë individët apo grupet e interesuara, që punojnë në territorin e portit, si koncesionarët, agjencitë, kontraktuesit, stivadorët, operatorët, etj. që të shfrytëzojnë këtë numër të llogarisë bankare për ndihmën e tyre monetare”. 

Në drejtorinë ekzekutive u ngrit një komision i posaçëm, që kryesohet nga zëvendësdrejtori Artjan Qirici, që do të koordinojë edhe grumbullimin e ndihmave materiale të çdo lloji. Në këtë komision marrin pjesë Gëzim Agasi, Auert Koka, Arjan Myderrizi, Shaziman Hoxha, Neritan Bitri dhe Kozeta Kallastra. Ndihmat materiale do të mblidhen në një pikë grumbullimi, në territorin e portit.

/th. m., kontribuoi g. k., agjencia e lajmeve “Dyrrah”/