Prefekti i Qarkut Durrës Emiljan Jani është shprehur se situata e krijuar nga reshjet e dendura të shiut është në monitorim dhe se në terren janë shpërndarë grupet e shtabit të emergjencave. Gjithashtu, para pak minutash në mjediset e prefekturës është zhvilluar mbledhja e Shtabit të Emergjencave të Qarkut, ku kanë qenë të pranishëm drejtuesit e drejtorive që janë pjesë e këtij shtabi.

Për “DurrësLajm”, prefekti Jani deklaron se situata më problematike paraqitet në Shkozet, ish-Kënetë dhe në zonën e Sukthit. Që nga mesdita janë anagazhuar edhe mjetet e stacionit zjarrfikës, të cilat kanë dhënë ndihmë kryesisht për mjete të bllokuara në ujë, siç ishte rasti i një furgoni që transportonte nxënës shkollash.

Nga verifikimet e bëra deri në këtë moment nga grupet në terren, rezulton se në Njësinë Administrative nr 5 ka 25 shtëpi të përmbytura, në Sukth 15, në Njësinë nr 4 janë 4 shtëpi dhe në Katundin e Ri 9 shtëpi.

Nga zona e Sukthit janë evakuuar edhe 3 të moshuar, duke u dërguar tek Konvaleshenca e Ministrisë së Brendshme në Plepa.

Ndërkohë situata është më problematike përsa i përket përmbytjeve të shtëpive në zonën e ish-Kënetës, ku grupet janë në terren dhe kanê nën monitorim të gjitha banesat ku ka prezencë uji, që arrin në nivelin 30-50cm.